Derbi pa hijeshi

  • 23 January 2018 - 09:23
Derbi pa hijeshi

NDESHJA PEJA-SIGAL PRISHTINA LARG NIVELEVE TË VITEVE TË KALUARA 

Vetëm dhjetëra shikues në tribuna 

Dikur ishte një përballje e jashtëzakonshme. Me shumë rivalitet, me shumë polemika, me mijëra tifozë në tribuna, megjithatë, kjo nuk ndodhi të shtunën në sfidën ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës. Vendasit po përballen me shumë probleme, duke luajtur me lojtarë të rinj, kurse mysafirët kanë dominuar deri më tani pa problem, duke shënuar 16 fitore në 16 ndeshje të zhvilluara, njëkohësisht duke qenë skuadra e vetme pa humbje. Bardhekaltrit ashtu siç është pritur kanë fituar me rezultat bindës 111:85. Verdhezinjtë kanë pesë fitore dhe 11 humbje deri më tani. 

Pa rivalitet

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, është shprehur se janë disa faktorë që ky derbi i dikurshëm, tani përcillet vetëm nga dhjetëra shikues, 39, aq sa ishin në takimin e fundit në 'Karagaçi'. "Një nga faktorët që ka kaq pak numër shikuesish është mos ngrohja e palestrës dhe temperaturat e ulëta në vendin tonë. Një ndeshje nuk mund të zhvillohet nën 10 gradë Celsius. Një arsye tjetër është rivaliteti i denjë në mes dy skuadrave, kur dihet se Peja po luan me lojtarë të rinj, kryesisht juniorë dhe kadet, derisa në anën tjetër, Sigal Prishtina, në radhët e saj ka pesë basketbollistë të Përfaqësueses së Kosovës dhe epilogu i ndeshjes është i ditur ende pa filluar ndeshje. Këto janë disa nga arsyet që në këtë ndeshje kishte pak shikues", ka thënë Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Derisa lufta për vendin e parë ka 'përfunduar ende pa nisur', sfida e vetme për garat e rregullta ka mbetur se kush do të sigurojë vendin e katërt, ku po luftojnë Rahoveci dhe Trepça. Mitrovicasit janë në formë të mirë, derisa Rahoveci ka bërë disa ndryshime nga pjesa vjeshtore e kampionatit. 

Pritet të kthehen edhe tifozët

Pavarësisht se deri më tani nuk ka pasur shikues, kjo pritet të ndryshojë në vazhdim, duke marrë parasysh që më gabimet nuk lejohen. Dhe shenja e parë ishte në sfidën Golden Eagle YlliRahoveci, ku në palestër kishte rreth dy mijë shikues. "Normal që pres të kthehet shikueshmëria dhe të fillojë të ketë derbi. Për momentin nuk mundemi të presim derbi cilësor, mirëpo, mund të presim rivalitet të denjë dhe ajo e jep vlerën në këtë moment. Siç e dimë në ndeshjen ndërmjet Yllit dhe Rahoveci, në palestër ishin prezentë 2000 shikues, dhe kjo është një shenjë e mirë. Kjo jep shpresë se shikuesit do të kthehen dhe do të ketë derbi. Shpresoj dhe jam i bindur se javën në vazhdim do të ketë derbi, sikur ajo Trepçës dhe Sigal Prishtinës, ku jam i bindur se 'Minatori' do të jetë i përmbushur me tifozë dhe do të krijohet një atmosferë fantastike. Po ashtu edhe takimet tjera do të jenë më interesante dhe do të ngritin kureshtjen e shikuesve të basketbollit. Skuadrat do të japin maksimumin për të siguruar fazën e "Play-off"-it dhe kjo do të bëj më interesant ndeshjet, dhe nga kjo do të kthehen edhe shikuesit në palestra, ashtu siç e meriton basketbolli i Kosovës", ka deklaruar Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)