Trepça për "Play-off" - Sport - Kosova Sot
Trepēa pėr "Play-off"

Trepēa pėr "Play-off"

'XEHETARËT' ARRITËN GJASHTË FITORE RADHAZI NË SUPERLIGË 

Skuadra mitrovicase këndellet pas startit të dobët 

Trepça ishte në dyshim para këtij kampionati nëse do të niste garat apo jo. Për shkak të problemeve financiare, mitrovicasit jo vetëm që nuk u përforcuan, por nga ekipi u larguan edhe lojtarët vendorë. Rezultatet nuk ishte pozitive, megjithatë, me kalimin e kohës filluan të këndellen, derisa tashmë kanë rritur dukshëm ambiciet për këtë edicion. 'Xehetarët' shënuan gjashtë fitore radhazi në Superligë, prej tyre tri në pranverë, e fundit ndaj Yllit, duke dëshmuar se synojnë një vend në garat shtesë, kurse momentalisht ndodhen në vendin e pestë me një pikë më pak se Rahoveci, që është i katërti.

Synimet

Trajneri i kësaj skuadre, Gazmend Asllani, thotë se synojnë të paktën "Play-off"-in në këtë edicion."Kemi arritur gjashtë fitore radhazi, pas disa përforcimeve të huaja që i kemi bërë, dhe i kemi kthyer lojtarët vendorë. Synimet tona pas këtyre përforcimeve janë që fillimisht të hymë në 'Play-off', dhe pastaj pse edhe të luftojmë për titull ose për Kupë të Kosovës", është shprehur Gazmend Asllani për gazetën "Kosova Sot". Asllani ishte basketbollist i Trepçës, kur kjo skuadër fitoi titullin dhe Kupën më 2012, e më pas duke hyrë në një krizë të thellë, që ende nuk e kanë tejkaluar plotësisht. Edicionin e kaluar lojtarët kishin hyrë edhe në bojkot për shkak të vonesave me paga. Testi i vërtetë për Trepçën në stinorin pranveror do të jetë në këtë fundjavë kur e presin Sigal Prishtinën, që në 17 ndeshje ka shënuar po aq fitore, duke qenë skuadra e vetme pa humbje në elitë, dhe pretendentja kryesore për titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.

Ndihmë të madhe nga tifozët

Përkundër se nuk e kanë filluar mirë edicionin, Asllani është i bindur se do të këndellen, derisa thekson se presin ndihmë të madhe nga tifozët. "Ne i kemi tejkaluar problemet që i kemi pasur dhe besoj se deri në fund të kampionatit nuk do të ballafaqohemi me ato probleme, edhe pse thënë të drejtën ato probleme na kanë kushtuar shumë, sepse kemi bërë shumë humbje. Megjithatë, tani me përforcimet e huaja që i kemi dhe me rikthimin e lojtarëve vendorë, dhe sidomos shikueshmërinë që po kemi, do t'i kompensojmë humbjet që i kemi pasur. Tifozët 'Torcida' na ka mbështetur gjithmonë dhe presim që të na përkrahin edhe në vazhdim të garave. Besoj se me këtë ekip që kemi dhe me ndihmën e tifozëve, do t'ia arrijmë synimeve që kemi", ka shtuar tutje Gazmend Asllani për gazetën "Kosova Sot". Në ndeshjen e fundit ndërmjet Trepçës dhe Yllit në palestrën "Minatori" ishin mbi 2 mijë shikues, duke dëshmuar se tifozët mitrovicas i besojnë klubit të tyre dhe dëshmi se po kthehet shikueshmëria në basketbollin e Kosovës. Pas 17 ndeshjeve të zhvilluara në IP Superligën e Kosovës në basketboll, Trepça ka shënuar tetë fitore dhe ka pësuar nëntë humbje, duke grumbulluar 25 pikë, dhe momentalisht ndodhet në vendin e pestë.

(Kosova Sot)

3 orë e 32 minuta më parë
25/02/18