Gotze mesazh Guardiolës: Nuk e di nëse do të më flasë sërish

  • 05 August 2015 - 11:15
Gotze mesazh Guardiolës: Nuk e di nëse do të më flasë sërish

Mario Gotze zhvilloi ndaj Milanit në “Audi Cup” një njdeshje shumë të mirë, por kjo nuk ka mjaftuar që ai të fitojë qetësinë për të ardhmen e tij. Guardiola, pasi i kishte rezervuar vetëm disa minuta në Superkupën e Gjermanisë ndaj Volfsburgut, e aktivizoi titullar kundër Milanit dhe 23-vjecari ia shpërbleu besimin me golin e 2-0 të shënuar në minutën e 74. Në momentin e zëvendësimit trajneri spanjoll e përgëzoi për paraqitjen e tij, por Gotze, në përfundim të ndeshjes i dha një mesazh të qartë Guardiolës.

“Luajta një ndeshje të bukur, tani të shohim se cfarë do të ndodhë. Është e qartë se dy vitet e fundit nuk kanë qenë të lehtë për mua, të shohim nëse ai do të më flasë më shumë”.

Gotze i referohet pikërisht trajnerit të Bayernit, i cili para ndeshjes ishte shprehur se kampioni i botës me Gjermaninë ishte një ndër lojtarët e tij të preferuar. Sipas Pep, Mario këtë e di shumë mirë dhe nuk është nevoja ta përsërisë.

Gjithsesi fjalët e Gotzës, lënë vend për hamendësimë dhe nxisin klubet e interesuara për të që të bëjnë hapa konkretë. Drejtori Sportiv i Juventusit, Beppe Marotta është gati të përfitojë nga situata, sepse presioni mbi lojtarin nga emra të mëdhenj si Rumenige dhe Beckenbauer që ai të kërkojë të luajë më shumë, mund të cojë në një krisje të thellë me Guardiolën.