Rekord historik: Shqipëria e 22-ta në botë

  • 05 August 2015 - 14:16
Rekord historik: Shqipëria e 22-ta në botë

Historike. Shqipëria e futbollit e 22-ta në botë. Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, për t’i dhënë fitoren në tavolinë Shqipërisë për ngjarjet e stadiumit të Beogradit, e ka katapultuar kombëtaren kuqezi në renditjen e përgjithshme të FIFA-s për muajin Gusht, që do të publikohet këtë të Enjte. Nga vendi i 36, ku renditeshin një muaj më parë, kuqezinjtë e De Biasit do të klasifikohen të 22-tët, duke lënë pas për herë të parë në histori përfaqësuese e tilla si Franca, Danimarka, Gana, Rusia dhe Suedia. E vetmja kundërshtare e Grupit I, që do të mbesë në një pozicion më të mirë se Shqipëria, është Portugalia, që nga vendi i shtatë ngjitet në të gjashtin. Në renditjen e re do të spikasë rënia drastike e Serbisë, që pritet  të humbasë 21 vende. Shqipëria dhe Meksika janë të vetmet kombëtare që për muajin e fundit do të ngjiten 14 shkallë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.

Shqipëria si kurrë më parë është shumë pranë kualifikimit në finalet e “Euro 2016″, pasi renditet e treta në Grupin I në kuotën e 10 pikëve, aq sa ka grumbulluar edhe Danimarka, por formacioni i De Biasit ka një ndeshje më shumë për të zhvilluar. Ne vend të parë klasifikohet Portugalia, në kotën e 12 pikëve. Dy ndeshjet e radhës së kuqezinjve me Danimarkën dhe Portugalinë, që do të zhvillihen në fillim të Shtatorit, do të jenë vendimtare për kualifikimin direkt të Shqipërisë në Europian.

Ndërkohë vendi i parë në klasifikimin e përgjithhëm do t’i mbesë Argjrentinës, ndërsa surprizën do ta bëjë Belgjika duke spostuar Gjermaninë në vendin e tretë.

fifa shqiperia rusia gana

fifa serbia