Sfidat e vështira për Kosovën

  • 06 February 2018 - 09:17
Sfidat e vështira për Kosovën

PËRFAQËSUESEN E KOSOVËS E PRESIN DY NDESHJE TË VËSHTIRA NË MUAJIN SHKURT

Përzgjedhësi i Përfaqësues së Kosovës në basketboll, Brad Greenberg, për dy ndeshjet ndaj Polonisë dhe Lituanisë, ka ftuar edhe Jaren Sina dhe Erjon Kastrati, që nuk patën mundësi të luajnë në dy takimet e para kualifikuese. Kosova është pjesë e Grupit C të kualifikimeve evropiane të Kupës së Botës "Kina 2019" së bashku me Lituaninë, Hungarinë dhe Poloninë. Kosova të dyja ndeshjet e muajit shkurt do t'i luajë si mysafire, të parën në Wloclawek kundër Polonisë më 23 shkurt, kurse të dytën më 26 shkurt në Klaipeda ndaj Lituanisë. Përfaqësuesja do të grumbullohet në Torun të Polonisë prej 19 shkurt, dhe pas ndeshjes kundër polakëve do të zhvendoset për në Lituani. Kosova kishte pësuar dy disfata në këto kualifikime, fillimisht në shtëpi në përballje me Lituaninë dhe më pas si mysafire në ballafaqim me Hungarinë. Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në këso kualifikime, derisa kishte arritur që të kalojë rrethin e parë para-kualifikues.

S'ka grumbullime

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, ka theksuar se Përfaqësuesja është dashur të ketë më shumë grumbullime para këtyre ndeshjeve të vështira. "Tani kur janë afruar ndeshjet e Përfaqësueses kundër Polonisë dhe Lituanisë mendoj se kemi qëndruar duarkryq dhe nuk kemi bërë asnjë lëvizje të vetme të Përfaqësueses për këto ndeshje aspak të lehta. Nuk është bërë asnjë grumbullim i vetëm dhe asnjë stërvitje e përbashkët, që nga përfundimi i ndeshjeve të kaluara, deri në këto përballje", ka theksuar Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Takimin e parë Kosova e kishte humbur nga Lituania në shtëpi me rezultat 61:99, kurse në të dytën ishte mundur nga Hungaria me rezultat 84:76, në një ndeshje të barabartë deri në periudhën e katërt. Kosova është pjesëmarrëse në këto kualifikime, pasi në parakualifikime ishte e dyta, pas Estonisë dhe para Maqedonisë.

Forma e lojtarëve

Krasniqi shton se forma e lojtarëve vendorë nuk është në nivelin më të kënaqshëm. "Mendoj se edhe zyrtarët dhe trajneri është dashur që të angazhohen më shumë dhe të shohin se çfarë forme kanë lojtarët për momentin. Përveç Dardanit (Berishës) dhe deri diku edhe të Lisit (Shoshit), të cilët po luajnë dhe kanë formë garuese të nivelit më të lartë, basketbollistët tjerë nuk janë në formën e duhur. Megjithatë, dëshiroj dhe shpresoj se Përfaqësuesja do të ketë paraqitje të mira në këto takime kualifikuese për Botërorin e Kinës. Ndeshjet nuk do të jenë aspak të lehta për Përfaqësuesen tonë", ka theksuar më tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Përfaqësuesja e Kosovës më herët kishte marrë pjesë edhe në kualifikimet e Kampionatit Evropian, duke debutuar më 2016, por pa arritur të shënojë fitore në gjashtë përballjet e zhvilluara, ndaj Ukrainës, Sllovenisë dhe Bullgarisë.

(Kosova Sot)