Lewandowski thotë se është lodhur dhe s’i interesojnë spekulimet që e lidhin me Real Madridin - Sport - Kosova Sot
Lewandowski thotë se është lodhur dhe s’i interesojnë spekulimet që e lidhin me Real Madridin

Lewandowski thotë se është lodhur dhe s’i interesojnë spekulimet që e lidhin me Real Madridin

Robert Lewandowski thotë se është lodhur nga thashethemet se ai do t’i bashkohet Real Madridit, duke insistuar se spekulimet nuk i interesojnë aspak.

Afati kalimtar dimëror mund të jetë mbyllur për top klubet evropiane, por vëmendja ka nisur të shkojë drejt afatit kalimtar veror, me polakun që jo befas e gjen veten në to.

Ditë më parë, e përditshmja spanjolle “Marca” raportoi se sulmuesi polak ka kohë që ëndërron ta veshë fanellën e Real Madridit dhe gjatë afatit kalimtar të janarit i kishte bërë thirrje agjentit të vetë, Cezary Kucharski, të bisedonte me drejtuesit e Los Blancos për transferimin e tij.

Në këtë artikull, e përditshmja spanjolle shkon dhe më larg duke pohuar se Lewandowski nuk e ka ndërmend ta zgjasë kontratën aktuale me Bayern Munichun pasi shpreson se do të mundë të transferohet në kryeqytetin spanjoll në të ardhmen e afërt.

Megjithatë, sot sulmuesi i Bayern Munichut i ka mohuar këto dhe ka theksuar se është lodhur duke i dëgjuar këto gjëra.

“Thashethemet nuk më interesojnë mua dhe nuk do të them më shumë. Nuk ia kam idenë [nga erdhën këto lajme]”, ka thënë ai.

“Nuk kam dëgjuar se ata [agjenti Cezary Kucharski dhe Real Madridi] kanë nisur bisedimet. Mendoj se ky është një tjetër spekulim”, ka shtuar ai. 

(Kosova Sot)

23 orë e 23 minuta më parë
20/08/18