Azdren Llullaku transferohet në Itali

  • 08 February 2018 - 20:57
Azdren Llullaku transferohet në Itali

Virtus Entella është një formacion i bazuar në Chiavari, në zonën e Ligurias, dhe me pretendime modeste në Serie B. Por, ekipi i Apenineve ka fituar vëmendjen e tifozëve shqiptarë, pas firmës së dytë në pak kohë me një futbollist të Kombëtares kuqezi.

Pasi arriti një akord me mbrojtësin Naser Aliji, skuadra italiane ka marrë zyrtarisht edhe kartonin e sulmuesit Azdren Llullaku.

Lojtari nga Istogu kaloi me bujë tek Astana në Kazakistan dhe pritej të ishte një nga futbollistët më efikas në luftën për titull.

Por Azdren Llullaku nuk u përshtat dot me të ftohtin dhe futbollin fizik, duke u huazuar pa shkëlqim te Toboli, aventurë së cilës i erdhi fundi me konsensus.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare do të provojë tani të rivihet në diskutim në Serie B me Virtus Entella, pasi braktisi ekipin e Ordabasit, me të cilin ishte duke u stërvitur prej pak ditësh në Turqi.

Llullaku priste të transferohej brenda merkatos normale evropiane, por si një futbollist i lirë, nën rregullat e FIFA-s ai mund të kalojë edhe jashtë afateve, siç konfirmoi edhe firma me Virtus Entella.

Stadiumi i ekipit të ri të Llullakut ka një kapacitet modest prej 5.500 vendesh dhe skuadra ndodhet për momentin në vendin e 11 në renditjen e Serie B.

(Kosova Sot)