Behrami lëvdon Oddon, nga rreziku për të rënë në Serie B – në garë për Europa League

  • 10 February 2018 - 12:04
Behrami lëvdon Oddon, nga rreziku për të rënë në Serie B – në garë për Europa League

Udinese është duke luftuar për Europa League dhe kjo falë Massimo Oddos, që është lavdëruar nga shqiptari, Behrami.

Sipas shqiptarit, Valon Behrami, forma e mirë e Udineses në ndeshjet e fundit e sidomos në vitin 2018, është falë trajnerit Massimo Oddo, që ka rikthyer buzëqeshjen në skuadër.

Ish trajneri i Pescaras e  zëvendësoi të shkarkuarin Del Neri në nëntor dhe që atëherë e ka transformuar krejtësisht skuadrën ku nga rreziku për të rënë në Serie B, është duke luftuar tani për Europa League.

“Kishim nevojë që të rikthenim besimin, dhe t’i nisnim gjërat me buzëqeshje. Kjo e gjitha është falë trajnerit, entuziazmit të tij dhe intensitetit në stërvitje”, tha Behrami për Tuttosport.

Udinese ndeshjen e radhës në Serie A do ta luajë kundër Torinos të dielën.

Pas 23 xhirove, Udinese gjendet në pozitën e nëntë me 33 pikë, pesë pikë prapa zonës Europa League, ku gjendet Sampdoria me 38 pikë. 

(Kosova Sot)