Kupa e 6 Kombeve, Anglia vuan me Uellsin, Irlanda superiore ndaj Italisë

  • 11 February 2018 - 12:36
Kupa e 6 Kombeve, Anglia vuan me Uellsin, Irlanda superiore ndaj Italisë

Republika e Irlandës dhe Anglia ruajtën kryesimin edhe pas ndeshjeve të dyta të edicionit të 19-të Kupës së 6 Kombeve në regbi.

Kampionët në fuqi hasën shumë vështirësi në duelin e “home nations” me Uellsin, që në këtë ndeshje vuajti mungesën e madhe të Leigh Halfpenny-t.

Në kryeqytetin britanik, në Stadiumin legjendar “Twickenham”, përpara 82.000 spektatorëve, Anglia fitoi 12-6 duelin me “dragonjtë”, pavarësisht se skuadra e Eddie Jones nuk arriti të shënojë dot qoftë edhe një pikë të vetme në orën e fundit të lojës.

Vendasit zhbllokuan rezultatin që në minutën e 2-të, kur Jonny May kaloi gjithë mbrojtjen uellsiane për të shënuar në mënyrë tepër spektakolare. 17 më vonë ishte po numri 11 i përfaqësueses angleze që realizoi për herë të dytë dhe Anglia u shkëput në 12-0, pas konvertimit të saktë të Owen Farrell. Në vazhdim ekipi i Eddie Jones u përpoq më së shumti për të administruar rezultatin dhe “dragonjtë” shënuan vetëm falë goditjeve të dënimit, në 23′ me Rhys Patchell dhe 4′ para fundit me Gareth Anscombe., raporton Super Sport.

Në kuotën e 9 pikëve më herët u ngjit fillimisht Irlanda që në “Aviva Stadium të Dublinit” mundi thellë 56-19 Italinë. Më i miri për skuadrën e Joe Schmidt ishte numri 9 Conor Murray që u shpall edhe lojtari i ndeshjes, sidoqoftë, përsa i përket rezultatit, “jeshilët” shënuan nga 28 pikë për çdo pjesë, ku spikatën Robbie Henshaw dhe Jacob Stockdale, ndërsa Jonathan Sexton nuk gaboi asgjë në konvertim për 50′ që qëndroi në fushë, ndërkaq “të kaltërit” që rrezikojnë sërish për të marrë “lugën e drunjtë”, në krahun tjetër u zgjuan tepër vonë, teksa shënuan tre herë në 25′ e fundit të ndeshjes, me lojtarët Tommaso Allan, Edoardo Gori dhe Matteo Minozzi.

(Kosova Sot)