Shtyhet debutimi i Tahirit

  • 12 February 2018 - 08:26
Shtyhet debutimi i Tahirit

PËR SHKAK TË ERËRAVE TË FORTA

Komiteti Olimpik i Kosovës ka konfirmuar se është shtyrë gara e skitarit Albin Tahiri në Lojërat Olimpike Dimërore që po mbahen në Korenë Jugore. KOK-u thotë se shtyrja e garës është bërë për shkak të erërave të forta që po mbretërojnë në qendrën e skijimit Jangseon. "Shtyhet gara në disiplinën lëshim i shpejtë, ku ishte paraparë të garonte skitari ynë, Albin Tahiri në LOD 'PyeongChang2018'. Shkak për shtyrjen janë bërë erërat e forta tëcilat po mbretërojnë në Qendrën Skitare Jangseon, rreth 40 km larg PyeongChangut. Sipas organizatorëve, gara nuk do të mbahet sot, kurse dita e mbajtjes së saj do të vendoset më vonë", thuhet në konfirmimin e KOK-ut. Më pas KOK ka konfirmuar se gara do të mbahet më 15 shkurt, kurse gara e 15 shkurtit do të zhvillohet një ditë më vonë.

Takime në Korenë Jugore

Organizuar nga Komiteti Olimpik i Sllovenisë, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, kanë marrë pjesë në takimin e presidentëve dhe sekretarëve të Komiteteve Olimpike të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se takimi u organizua në PyeongChang të Koresë së Jugut, ku po mbahen Lojërat e 23-ta Olimpike Dimërore. Të pranishëm ishin edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës, Janez Kocijançiq, si dhe ministrja për Edukim, Shkencë dhe Sport e Sllovenisë, Maja Makovec Brençiq. KOK-u thotë se gjatë takimit u bisedua për Lojërat Olimpike Dimërore, për bashkëpunimin mes Komiteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore në të ardhmen. Kosova po merr pjesë në LOD PyeongChang 2018, për herë të parë që prej anëtarësimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, më 9 dhjetor 2014

(Kosova Sot)