Duka: Koha që Shqipëria të synojë Botërorin

  • 12 February 2018 - 10:46
Duka: Koha që Shqipëria të synojë Botërorin

Vetëm pak ditë më parë, Armand Duka u votua nga Asambleja e Përgjithshme për një mandat të 5-të në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit

Kreu i Federatës mposhti konkurrencën me kandidatin e ardhur nga politika, deputetin e PS-së, Bashkim Fino, ndërsa për herë në parë pas shumë viteve, pamë një fushatë vërtetë të ngarkuar, të mbushur me akuza e kundër-akuza mes kandidatëve.

Në një lidhje direkte me emisionin ‘Zona Gol’ në Supersport, presidenti i sapo-konfirmuar i FSHF-së, Armand Duka, tregoi gjithçka mbi zgjedhjet dhe planet për të ardhmen e futbollit në Shqipëri.

Si ndjeheni tashmë që kishte marrë mandatin e 5-të për të drejtuar Federatën Shqiptare të Futbollit?

Rikonfirmimin tim nuk e shikoj si numër mandatesh, por si një besim i komunitetit të futbollit, për të çuar punën e nisur deri në fund. Ky mandate është një përgjegjësi dhe një shtysë për të vijuar me zhvillimin e projekteve të reja, por edhe atyre të nisura tashmë”, u shpreh Duka

A mund të ishte synimi i pjesëmarrjes së kombëtares në finalet e Botërorit, një premtim për fushatën?

Përfaqësimi me ekipin kombëtar, nuk është pjesë fushate, por një mundësi dhe dëshirë reale e Shqipërisë. Me atë që ka dhënë ekipi deri më sot, mendoj se i kemi të gjitha mundësitë të synojmë kampionatin Botëror. Unë mendoj që Shqipërisë i ka ardhur koha të synojë pjesëmarrjen në Botëror, duke filluar që nga fushata e ardhshme.

A patët frikë se edhe mund të humbnit?

Ishte një garë sportive, që e përjetova me më shumë emocion dhe normalisht që e pata menduar edhe humbjen, por më vjen mirë që u zhvillua një garë e ndershme.

Çfarë përjetove, kur mësove se rivali yt do të ishte një njeri i politikës?

Kandidati, individualisht ishte i kompletuar, po i veshur edhe me një background politik. Nuk mund ta fsheh faktin se duke qenë një person i ardhur nga politika, mund të ishte i avantazhuar në këtë garë. Individualisht ishte një kandidat i formuar dhe i kompletuar, por duhej të zhvishej nga funksionet politike, gjë që nuk e bëri dhe më dha të kuptoj se nuk e kishte shumë seriozisht.

A mendoni se në zgjedhje fitoi ‘e keqja më e vogël’?

Mund të bashkohemi vetëm në pikën, që futbolli vendosi të lërë jashtë politikën. Por rezultatet e futbollit shqiptar, qoftë ecuria e klubeve, por edhe ajo e kombëtares, me pjesëmarrjen në Euro 2016, besoj se kanë qenë sukses shumë i madh, ndaj nuk e shoh si zgjedhje të së keqes më të vogël, por si konfirmim të suksesit më të madh. Nëse nuk do kishte ndërhyrje politike, ndoshta do të zhvillohej një lloj tjetër gare. Në rastin konkret nuk ishte një garë mes platformës dhe backgroundit sportiv, por u politizua.

A ka një autoritarizëm në institucionin e FSHF-së?

Federata e Futbollit funksionon në bazë të statutit dhe çdo organ ka kompetencat dhe autoritetin që i jep statute. 80 % e anëtarëve të Drejtësisë Sportive unë nuk i njoh fare dhe ju garantoj se të gjithë institucionet funksionojnë me të gjitha të drejtat që u takojnë dhe tërësisht të pavarura.

A mendoni se ka ardhur koha që të kemi më shumë lojtarë shqiptarë në ekipet e moshave?

Çdo trajner merr në ekip futbollistët më të mirë, pavarësisht nga kampionatin ku luajnë. Kushdo që të jetë në vend të Bushit apo Bogdanit, do të marrë ata që vlerëson se janë më të mirë. Të gjithë të rinjtë në Shqipëri i kanë mundësitë që të shprehin aftësitë e tyre, pasi kemi ndërtuar 6 ekipe përfaqësuese rajonale, për të vlerësuar elementët më të mirë për ekipet e moshave. Të gjitha këto ndeshje dhe stërvitje të ekipeve rajonale, ndiqen nga trajnerët e përfaqësueseve, për të përzgjedhur ata që spikasin. Nëse niveli i futbollistëve që luajnë në përfaqësuese është më i lartë se i atyre që nuk përzgjidhen, unë mbështes trajnerët.

Keni qenë kundër ndërhyrjes së politikës, por një politikan, deputeti i PD-së, Enlelejd Alibeaj u zgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv. A do t’i kërkoni që të lërë mandatin?

Në opinionin tim, kam qenë gjithmonë kundër përfshirjes së politikës në futboll, madje edhe kundër kandidimit të politikanëve për Komitetin Ekzekutiv. Unë vetë kam lobuar që të mos votohen kandidatët politikë, por statutet e Federatës nuk i ndalojnë dhe unë nuk kam çfarë të bëj, përderisa votohen në Asamble. Për të shmangur këto ndërhyrje, duhen ndryshuar statutet dhe ligjet e Federatës, që të ketë sa më pak ndikim nga politika.

A mendoni se duhet kufizuar mandati i Presidentit të FSHF-së?

Do të ishte hipokrizi që po e them sot, sepse nuk është se mendoj për kaq shumë mandate. Gjithsesi, unë jam i mendimit që mandatet nuk duhen kufizuar me ligj apo me statut. Kufizimin e mandatit mund ta vendosin vetë votuesit. Nëse një kandidat nuk ju pëlqen, mund ta rrëzojnë me votë vetëm pas mandatit të parë, ose mund ta mbështesin edhe më gjatë, nëse e vlerësojnë të arsyeshme. Europa është 50 me 50, ndërsa UEFA sapo e ka sanksionuar kufizimin e mandateve të saj.

A mendoni se duhet rregulluar edhe përzgjedhja e delegatëve në Asamble?

De Juro është e zgjedhur, pasi vetë klubet e futbollit në përgjithësi, kanë një status të qartë. Problemi është që vetë Asambleja e Futbollit, duhet të mendojë se si të shmangë maksimalisht delegimin e personave politikë.

Çfarë statusi kanë shoqatat dhe pse janë pikërisht 8?

Atëherë kur janë krijuar, nuk kanë qenë 12 qarqe dhe janë krijuar mbi bazën e ndarjes sportive të vendit, pra numrin e futbollistëve, afërsinë gjeografike etj. Në të ardhmen mund të jenë 2 të tilla, por edhe 15. Kjo do të varet nga numri i futbollistëve dhe vendimi i Asamblesë për shtimin e tyre.

Aktualisht Asambleja ka 66 anëtarë. A pritet të ndryshojë numri?

Themeli i Asamblesë është anëtarësia dhe besoj se ka nevojë për ndërhyrje. Kanë dalë disa vërejtje, të cilat mendoj se duhet analizuar dhe ndryshuar, për të përmirësuar edhe jetën e Shoqatës së Futbollit në Shqipëri. Këtë herë nuk mund të ndërhynim sepse mund të dukej sikur po bënim manipulim. Në mbledhjet e ardhshme të Asamblesë, që janë jozgjedhore, duket ndërhyrje me qëllim që anëtarët që nuk kanë më klub, të përfaqësohen nëpërmjet shoqatave dhe klube të reja të anëtarësohen. 

(Kosova Sot)