Neymar: Presim një ndeshje të mrekullueshme, Madridi më motivon

  • 12 February 2018 - 12:39
Neymar: Presim një ndeshje të mrekullueshme, Madridi më motivon

Në tetor 2011, Autoriteti i Investimeve të Katarit pagoi rreth 55 milionë euro për të blerë 70% të PSG-së. Nasser Al-Khelaifi u emërua pastaj president i ekipit. Në sezonin 2012-2013, parizienët u kualifikuan në Ligën e Kampionëve, për herë të parë, pas shtatë sezoneve. Që atëherë, ata gjithmonë kanë shkuar deri në çerekfinale, përveç sezonit të kaluar, kur u rrëzuan në raundin e dytë kundër Barcelonës. Nëse Real Madridi luan sezonin në këtë ndeshje, në Francë thuhet se PSG-ja luan një pjesë të madhe të projektit. Neymar, emblema e madhe e klubit, nuk ka frikë nga sfida: “E di që ne kemi potencial për të bërë një edicion të shkëlqyer në Ligën e Kampioneve. Ky kompeticion është shumë i rëndësishëm në historinë e një klubi, edhe për një lojtar. Unë kam ardhur këtu për këtë trofe, për të hyrë në histori, për të bërë më të mirën me PSG-në. Ne shpresojmë për një lojë të mrekullueshme, Madridi na motivon maksimalisht”.

Sidoqoftë, në Paris ka pasiguri. Një sondazh i opinionit nga “Odoxa” për RTL tregon mosbesimin e francezëve te PSG-ja. Vetëm 36% e shohin ekipin parizien në çerekfinale të Champions-it. Ky studim, i kryer mes të mërkurës, 7 shkurt, dhe të enjtes, 8 shkurt, me një “mostër” prej 982 personash, që përfaqësonin popullsinë franceze mbi 18 vjeç, përfshinte 371 tifozë të futbollit. Për ndeshjen në “Bernabéu”, 41% e francezëve shohin fitore të Real Madridit, 36% parashikojnë një barazim dhe vetëm 19% vënë bast për triumfin e PSG-së. Ndër tifozët e futbollit, rezultati i anketës është i ngjashëm: 43% janë për Real Madrid, 31% për barazimin dhe 26% për PSG-në. Neymar është lojtari më i çmuar në këtë sondazh të opinionit, në mesin e njerëzve që nuk kanë deklaruar pasionin për futbollin (28%), ndërsa për tifozët më të votuar ishte Mbappé (30%), në vend të brazilianit (22%).

Ky opinion është pasqyruar edhe nga ish-lojtari i PSG-së dhe “Les Bleus”, Lizarazu: “Neymar ka një jetë si yll rroku. Mënyra e tij për të përgatitur një ndeshje në Madrid ka qenë shumë ndryshe nga ajo që bëjnë Cristiano Ronaldo, apo Leo Messi”. Ndërkohë, Rabiot përpiqet ta transferojë presionin tek ekipi i bardhë: “Nuk kemi shumë presion. Ne e dimë se është një ndeshje e rëndësishme për ne dhe për klubin, por presioni është mbi ta”. Marquinhos, nga ana tjetër, tregon dëshirën e dhomës së zhveshjes për këtë sfidë: “Është një provë e mirë për PSG-në, për projektin dhe ne presim një ndeshje të tillë”. Di Maria paralajmëron ish-ekipin e tij: “PSG-ja është më e fortë se vitin e kaluar. Ne vetëm kemi nevojë për pak fat…”

(Kosova Sot)