Juventus-Tottenham, në “Allianz” sfidohen dy pretendente

  • 12 February 2018 - 16:34
Juventus-Tottenham, në “Allianz” sfidohen dy pretendente

Juventus dhe Tottenham do të sfidohen në “Allianza Stadium” në atë që pritet të jetë një nga përballjet më të forta të 1/8-ve të Champions League të martën në mbrëmje. Anglezët janë kualifikuar si të parët e grupit të tyre, duke lënë mbrapa kampionët në fuqi të Real Madrid, dhe do të bëjnë vizitën e tyre të parë në Torino. Juventus është kualifikuar si e dyta e Grupit D dhe paraqitjet e bardhezinjve nuk kanë qenë shumë bindëse. Ka kaluar shumë kohë qëkur këto dy skuadra kanë provuar shijen e suksesit në Europë, me Tottenham që ka fituar ish-Kupën UEFA në 1984-ën kundër Anderlecht, ndërsa Juventus ka triumfuar në Champions League, në 1996-ën.

Ndërkohë ecuria e Tottenham kundër skuadrave italiane është e respektueshme, por jo e mirë. Ata kanë humbur vetëm 3 nga 15 ndeshjet e luajtura kundër ekipeve italiane. Juventus, nga ana tjetër, ka marrë 18 fitore, 13 barazime dhe 15 humbje në ndeshjet e luajtura kundër skuadrave angleze. Lojtarët që duhen mbajtur nën vëzhgim janë Gonzalo Higuain dhe Harry Kane, me këtë të fundit që është golashënuesi i dytë më i mirë i Champions League: 6 gola. Ndërkohë, sulmuesi i dytë i “Spurs”, Fernando Llorente, shpreson që të luajë disa minuta kundër ish-klubit të tij.

“Juventus është një klub i veçantë sepse është si një familje e madhe”, ka thënë spanjolli. Për sa i takon statistikave, Juventus është e pamposhtur në 19 nga 21 ndeshjet e fundit që ka luajtur në Champions, ndërsa Tottenham ka fituar 6 nga 7 ndeshjet e fundit të këtij kompeticioni. Në 7 nga 8 takimet e fundit që Tottenham ka luajtur në Champions League, janë realizuar mbi 2.5 gola për ndeshje, ndërsa janë realizuar më pak se 2.5 gola për ndeshje në 3 takimet e fundit të Juventus në Champions League.

(Kosova Sot)