Grezda: Isha afër Dinamo Zagreb-it

  • 13 February 2018 - 08:27
Grezda: Isha afër Dinamo Zagreb-it

"Unë arrita një akord financiar për pagën me Dinamo-n, do të përfitoja rreth 500 mijë euro në vit, mirëpo klubet nuk u dakorduan ndërmjet vete", ka thënë Eros Grezda

Osijek e nisi me disfatë stinorin e ri në kampionatin kroat, por në aspektin personal mesfushori shqiptar i kësaj skuadre Eros Grezda ishte i jashtëzakonshëm, duke realizuar një gol shumë të bukur. Si për ironi të fatit, Eros Grezda, shtangu portierin e atijklubi që tentoi ta rrëmbente gjatë merkatos së dimrit, skuadrën e Dinamo Zagreb."Edhe pse nuk morëm pikë, unë shënova gol dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme për cilindo futbollist. Është gol që më jep akoma më shumë motivim për vijimësinë e sezonit, duke qenë se e nisa me gol", është shprehur mesfushori kuqezi. Për shqiptarin, gjiganti kroat kishte shprehur dëshirë gjatë afatit kalimtar të janarit, por klubet ndërmjet vete nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje. "Interesimi i Dinamo-s ishte konkret. Mirëpo, klubet nuk gjetën një akord që unë të ndryshoja skuadër. Unë arrita një akord financiar për pagën me Dinamo-n, do të përfitoja rreth 500 mijë euro në vit. Për kartonin tim ka një klauzolë prej 2.5 milionë eurosh dhe ata ishin të gatshëm ta paguanin. Mirëpo, Osijek insistoi që të mos më lejonte të largohesha dhe duke qenë se mes presidentëve të dy klubeve ka një marrëdhënie shumë të mirë, transferimi nuk u bë", deklaron Grezda. "Mund të them që më ka mbetur disi peng që nuk u krye si transferim, për vetë faktin se do të dilja kampion me Dinamo-n. Tashmë, objektiv kam që të dal në vend të dytë me Osijek dhe të kem mundësi të shënoj sa më shumë gola. Shifra nuk i vendos asnjëherë vetes, pasi sa më shumë që të realizoj, aq më mirë do të jetë për karrierën time", ka deklaruar Eros Grezda.

(Kosova Sot)