Teniste “part-time”, Serena Williams do të luajë vetëm në 8 turne gjatë 2018-ës

  • 13 February 2018 - 17:50
Teniste “part-time”, Serena Williams do të luajë vetëm në 8 turne gjatë 2018-ës

Është bërë nënë para disa muajsh, në moshën 36-vjeçare, por pavarësisht kësaj ajo ka zbritur fundjavën e kaluar në fushë në turneun e Federation Cup, duke mbrojtur fanellën e kombëtares amerikane. Gjithsesi, Serena Williams, ka bërë me dije sot se impenjimet e saj të këtij viti do të jenë të limituara, të kushtëzuara nga fakti se është bërë nënë dhe tashmë ka të tjera detyrime. Për këtë arsye, ish-numri 1 në boët do të luajë vetëm në 8 turne gjatë vitit 2018. Përveç 3 grand slemeve të mbetura, atyre të Roland Garros, Wimbledon dhe US Open, tenistja amerikane do të zbresë në fushë në turnetë Masters të Indian Wells, Majemit, Madridit, Romës dhe Kanadasë ose Sinsinatit. Dhe, nëse do të arrijë të kualifikohet për në finalet e WTA Championship, do të luajë edhe në turneun e fundit të 2018-ës.

Serena Williams u rikthye në fushë të dielën e kaluar në lojën dyshe të Federations Cup, ku luajti së bashku me motrën e saj Venus. Motrat humbën, por kjo nuk ndikoi në kualifikimin në raundin tjetër të kombëtares amerikane. Trajneri i tenistes amerikane, Patrick Mouratoglu, u shpreh se stërvitja e Serenës do të vijojë normalisht, por impenjimi do të jetë i limituar, duke administruar më së miri forcat e mundësitë që do t’i jepen. “Serena do të ndjekë shembullin e Roger Federer, por me ndryshimin se do të luajmë në turnetë kryesorë, duke shpresuar që të argëtojmë fansat e saj të shumtë”, u shpreh Mouratoglu, që bëri me dije edhe kalendarin e turneve ku do të luajë Serena Williams. Pra, pas një muaji do ta shohim sërish në fushë, në turneun e Indian Wells.

(Kosova Sot)