Kërcënimet me jetë dhe akuzat ndaj Skënderbeut, Takaj: Janë sajesa

  • 17 February 2018 - 19:30
Kërcënimet me jetë dhe akuzat ndaj Skënderbeut, Takaj: Janë sajesa

Presidenti i klubit korçar, Ardjan Takaj ka reaguar zyrtarisht për akuzat e ditëve të fundit, nga ato për trukim ndeshjesh deri tek ato për kërcënimin me jetë të inspektorëve të UEFA-s.

Në reagimin e tij, Takaj i cilëson ato si sajesa ndaj klubit “Skënderbeu”.

“Në emër të klubit ju siguroj se do të vazhdojmë rrugëtimin tonë e tonë për të realizuar objektivat sportiv të klubit, por tani na lind dhe detyrimi për të mbrojtur nderin dhe sukseset e arritura deri më sot. Ju sigurojmë së do të shohim përpara për suksese edhe më të mëdha”, shprehet ai.

Reagim zyrtar i presidentit Ardjan TakajTë dashur tifozë bardhekuq dhe sportdashës të KF Skënderbeu shpreh keqardhjen dhe shqetësimin tim nga “bombardimi” që po i bëhet opinionit publik me lajme dhe sajesa ndaj në emër të Klubit të Futbollit ‘Skënderbeu’ kërkoj të sqaroj edhe njëherë se:

– KF Skënderbeu siguron UEFA-n dhe të gjithë partnerët e saj se nuk ka asnje lidhje apo dijeni për kërcënimin që mund të jetë bërë ndaj personave që po hetojnë klubin tonë. Garancia më e madhe është historia e klubit tonë dhe natyra e qytetit që perfaqësojmë.

– Në emër të klubit dua të inkurajoj edhe njëherë organet ligj-zbatuese për zbardhjen e çështjes dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të autorëve të vertetë të kesaj ngjarje.

– KF Skënderbeu siguron të gjithë opinionin sportiv dhe në mënyrë të veçantë tifozërinë tonë se po ndjek me vëmëndje dhe qetësi hetimin e nisur nga kompani, që kërkojnë të justifikojnë milionat që perfitojnë nga UEFA dhe “klani” anti-Skënderbeu në vendin tonë. Sigurojmë se akuzat e tyre do të rrezohen një e nga një, dhe nëse do të jetë e nevojshme deri në shkallën më të lartë të gjykimit sportiv ose penal.

– Si përfundim në emër të klubit ju siguroj se do të vazhdojmë rrugëtimin tonë e tonë për të realizuar objektivat sportiv të klubit, por tani na lind dhe detyrimi për të mbrojtur nderin dhe sukseset e arritura deri më sot. Ju sigurojmë së do të shohim përpara për suksese edhe më të mëdha.

(Kosova Sot)