Pranvera mund t'i lërë pa punë shumë trajnerë

  • 20 February 2018 - 08:54
Pranvera mund t'i lërë pa punë shumë trajnerë

STINORI PRANVEROR PO PRITET TË SJELLË SHUMË RISI NË FUTBOLLIN TONË.

  Ky edicion po jep sinjale se do të kemi një garë të jashtëzakonshme

"Kur kërkesat e klubeve janë të mëdha, sigurisht që presioni tek trajnerët rritet. Nuk dua të përmend emra, por mendoj se te 3-4 ekipe trajnerët duhet të kenë frikë për mosrezultate, të tjerët janë më të qetë tash për tash. Gjithsesi, nuk besoj se në këto 2-3 ndeshjet e para do të ketë shkarkime", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Genc Sermaxhaj 

Kërkesat e mëdha të klubeve, rivaliteti i jashtëzakonshëm dhe shumë dëshira për dy trofe, po bën që sivjet pranvera të cilësohet si njëra nga më të vështirët për trajnerët e skuadrave të Vala Superligës. Njohësit e futbollit parashohin një stinor të luftuar shumë dhe sigurisht që kjo krijon pastaj edhe presione, si të drejtuesit e klubeve ashtu edhe tek trajnerët, gjë që është e natyrshme edhe të priten shkarkime. Futbolli ynë edhe në të kaluarën është veçuar për ndërrime të shpeshta të trajnerëve, derisa temën e shkarkimeve për sivjet i pari që e hapi ishte ai i Llapit Tahir Batatina, i cili pasi e eliminoi Trepçën'89 nga Kupa, paralajmëroi se shumë trajnerë të ardhur këtë vit do të largohen shpejt për t'ua lënë vendin këtyre vendorë.

Blendi Shkëmbi e Gugash Magani, pas eliminimit nga Kupa, dëshpëruan shumë, derisa dështimi që në start të kampionatit i Ismet Munishit me Feronikelin, Sedat Pajazitit me Drenicën dhe Gajur Rexhepit me Flamurtarin ka sjellë bukur shumë presion. Sido që të jetë, ish- futbollisti i mirënjohur kosovar Genc Sermaxhaj, gjatë nja analize bërë startit të garave, ka përmendur edhe mundësinë e shkarkimeve të trajnerëve, por ai beson se pa kaluar 3-4 javë nuk do të ketë reagime të klubeve. "Kur kërkesat e klubeve janë të mëdha, sigurisht që presioni tek trajnerët rritet, pasi medoemos kërkohen rezultate pozitive. Nuk dua të përmend emra, por mendoj se te 3-4 ekipe trajnerët duhet të kenë frikë për mosrezultate, të tjerët janë më të qetë. Gjithsesi, nuk besoj se këto 2-3 ndeshjet e para mund të ketë shkarkime", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Genc Sermaxhaj.

Shkëlqeu Prishtina

"Është e vështirë t'i vlerësojmë ekipet që në ndeshjet e para të kampionatit, ngase nuk e kanë arritur ende formën e dëshiruar dhe ndeshjet e para sjellin edhe befasi. Sidoqoftë, disa ekipe treguan lojë të mirë e disa jo aq sa kemi pritur nga to", ka thënë Sermaxhaj, duke shtuar se ajo që është me rëndësi është se përgatitja e lojtarëve ishte në nivel. "Vëreheshin se të gjitha ekipet ishin përgatitur mirë gjatë fazës përgatitore, dukej një angazhim i madh nga futbollistët, ishin mjaft të freskët dhe dëshira për fitore nuk mungonte. Prishtina ishte ekipi i vetëm në ndeshjen e parë që më la përshtypje mënyra dhe qasja ndaj lojës, ku treguan karakter e dëshirë për fitore, e gjithashtu bën lojë mjaft të mençur ndaj liderit Llapi. Edhe ekipet, si: Liria, Trepça '89, Drita dhe Feronikeli janë ekipe që treguan ndeshje te mira, por duhet të kalojnë edhe dy xhiro për t'i parë se cilat ekipe janë me formë të mirë në këtë fillim të pranverës", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Sermaxhaj. 

Dështuan Llapi e Drenica

Sipas ish-futbollistit gjilanas Genc Sermaxhaj, në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, ka shkëlqyer Prishtina. Lojë të mirë, sipas tij, kanë treguar edhe Drita, Feronikeli e Liria e Trepça'89, derisa kanë dështuar Drenica e Llapi

Sipas ish-futbollistit gjilanas, në ndeshjet e para kanë dështuar Llapi e Drenica, nga të cilat është pritur shumë më shumë, sidomos pas atyre paraqitjeve në ndeshjet e Kupës. "Llapi e Drenica zhgënjyen me paraqitjet e tyre, por natyrisht që nuk janë fytyrat e vërteta të ekipeve në përballjet e para. Nga java pasuese mund t'i vlerësojmë edhe formën e ekipeve në këtë start të kampionatit pranveror", ka thënë Sermaxhaj, i cili nuk e përjashton mundësinë edhe të reagimit të disa klubeve sa i përket punës së trajnerëve. "Kur kërkesat e klubeve janë të mëdha, sigurisht që edhe trajnerët nuk janë pa presionin e rezultateve pozitive, por tek 3-4 ekipe trajnerët duhet të kenë frikë për mosrezultate të tjerat janë më të qeta pa dashur të përmend emrat e tyre. Gjithsesi, nuk mendoj se në këto 2-3 ndeshjet e para mund të ketë shkarkime të tyre", ka përfunduar Sermaxhaj.

(Kosova Sot)