Rilindja e kuqezinjve

  • 20 February 2018 - 09:01
Rilindja e kuqezinjve

  VAZHDOJNË ME REZULTATE POZITIVE

Të pamposhtur në dhjetë ndeshjet e fundit

Pas fitores ndaj Sampdoria-s me rezultat 1:0, Leonardo Bonucci e falënderoi Gennaro Gattuso-n se ka arritur të transformojë Milan-in. Kuqezinjtë janë të pamposhtur në 10 ndeshje, duke fituar kështu shtatë dhe kualifikuar për gjysmëfinale të Kupës së Italisë, po ashtu kanë fituar ndeshjen e parë ndaj Ludogorets-it me rezultat 3:0 në Ligën e Evropës. "Që kur ka ardhur Gattuso, ne kemi ndryshuar krejtësisht", ka thënë Bonucci për "Mediaset Premium".

"Një skuadër është formuar, jemi në formë më të mirë dhe është e gjitha meritë e tij. Kemi bërë një hap të madh para dhe duhet të vazhdojmë kështu. Gattuso na ka dhënë mentalitet, një nivel më të mirë fitnesi dhe çdo gjë që tjetër që na ka munguar. Ne nuk ishim skuadër para se të vinte ai, kemi vuajtur edhe në aspektin psikologjik. Kemi punuar që të funksionojmë si një njësi", theksoi tutje mbrojtësi italian. Vincenzo Montella u shkarkua në nëntor dhe Gattuso erdhi nga Primavera (skuadra e të rinjve) dhe kjo i ndihmoi shumë Bonucci-t edhe në aspektin individual. "Mora një pjesë të përgjegjësisë në supet e mia dhe gjeta prapë veten. Gattuso më ndihmoi në këtë aspekt. Në fillim e kisha gabim dhe isha i fokusuar në shumë gjëra rreth meje dhe mendoja se unë duhet të shpëtoja skuadrën. Por, kuptova se është diçka ekipore dhe duhet të punonim të bashkuar, kemi rrugë të madhe para", ka shtuar Bonucci.

Ndeshja e ardhshme e Milanit është ndaj Roma-s, ndërsa kuqezinjtë aktualisht renditen në vendin e shtatë me 41 pikë

Gattuso i jep meritën lojtarëve Ndërkohë, Gennaro Gattuso gjithë meritat për fitoren ndaj Sampdoria-s ia dha lojtarëve të Milan-it. "Meritat i shkojnë djelmoshave, atyre u duhet vetëm një shkëndijë të marrin flakë", ka thënë Gattuso për "Mediaset Premium". "Shikoj përkushtim, kënaqësia më e madhe për një trajner është teksa shikon lojtarët duke bërë gjithçka që trajneri ua kërkon. Pas kësaj, gjithë meritat i shkojnë atyre. Ata janë protagonistë, ndërsa unë propozoj vetëm ide. Ata po bëjnë aq mirë dhe aktualisht për mua është shumë e lehtë të jem trajner i tyre.

Puna ime është të jem ankthi i lojtarëve deri në fund të sezonit. Nuk kam pritur asgjë kur erdha, më ishte dhënë një 'patate e nxehtë'. Më pëlqen të vuaj, nuk më pëlqejnë gjërat e lehta dhe kështu zgjodha Milanin, kjo është shtëpia ime. Kam veshur këtë fanellë për 14 vite, është pjesë e imja. Të punosh këtu është e mrekullueshme dhe do e shikojmë se si do të përfundojë", ka thënë trajneri i kuqezinjve. Gattuso i kushtoi vëmendje speciale Ricardo Rodriguez-it, i cili nuk arriti të shënojë nga pika e bardhë në portën e Emiliano Viviano-s. "Ai reagoi sikur diçka katastrofike ndodhi. Diego Maradona ka humbur gjithashtu penallti, paramendojeni Rodriguez mos ta bënte", shtoi për fund Gattuso.

(Kosova Sot)