Vëllaznimi kërkesë FFK: Duam të luajmë vetëm të dielën

  • 20 February 2018 - 20:08
Vëllaznimi kërkesë FFK: Duam të luajmë vetëm të dielën

KF Vëllaznimi nuk është i kënaqur me vendimin e Komisionit të Garave, që derbin ndaj Prishtinës ta luajnë të shtunën e jo të dielën

Skuadra gjakovare me anë të një njoftimi për media ka kërkuar nga Federata e Futbollit e Kosovës që ndeshjet si vendës t’i zhvillojë të dielën e jo të shtunën.

Kjo ankesë ka ardhur, pasi Komisioni i garave ka caktuar që derbi ndaj Prishtinës të zhvillohet të shtunën nga ora 13:00.

Ata thonë se tradicionalisht Vëllaznimi ka luajtur të dielën, atëherë edhe kur është numri më i madh i tifozëve dhe shpresojnë në mirëkuptimin e FFK-së.

Njoftimi i plotë i Vëllaznimit:

“Për: FEDERATEN E FUTBOLLIT TË KOSOVËS

- Komisionit të Garave -

Edhe pse zyrtarisht, nga organet e FFK-s ende nuk na ka ardhur asnjë informatë lidhur me terminin e ndeshjes së javës së 20-të të Super Ligës së Kosovës VËLLAZNIMI – PRISHTINA, jo zyrtarisht kemi mësuar se nga ana e Komisionit të Garave është vendosur që kjo ndeshje duhet të zhvillohet të shtunën më 24.02.2018 në ora 13,00.

Me këtë rast K.F.”Vëllaznimi” reagon dhe kërkon nga Komisioni i Garave që të respekton qëndrimin tradicional të Klubit tonë që ndeshjet si vendës në Gjakovë i zhvillon ditëve të diela.

Kjo kërkesë e jona nuk është për asnjë teke të Klubit apo tendencë që të thyejmë vendimin e Komisionit të Garave, por ka arsyetim logjik dhe sportiv:

1. Tradicionalisht, për vite e dekada, në Gjakovë, dita e diel ka qenë dhe vazhdon të jetë ditë e futbollit

2. Me këtë qëndrim të Klubit, përherë, pra edhe sivjet, para fillimit të kampionatit, janë informuar organet e FFK-s

3. Çdo ndeshje që në Gjakovë zhvillohet ndonjë ditë tjetër e jo të dielën, është e gjykuar që të ketë përgjysmë më pak shikues se që do të ndodhte të dielave.

4. Prandaj, nuk është e rrugës që asnjë ndeshje në Gjakovë të caktohet ndonjë ditë tjetër pos të dielave. Kjo aq më pak duhet të bëhet në njërin prej derbive më të mëdhenj në futbollin kosovar, në atë ndërmjet Vëllaznimit dhe Prishtinës.

5. Nuk dyshojmë se edhe organet e FFK-s kanë dëshirë që në ndeshjet e futbollit në Kosovë të tubohen sa më shumë shikues, sepse ata janë hijeshija e sportit, pra edhe e futbollit. Që kjo të ndodh edhe në ndeshjen VËLLAZNIMI – PRISHTINA, kërkojmë nga organet e lart theksuara që kjo ndeshje të zhvillohet të dielën më 25.02.2018.

Të bindur që për të mirën e futbollit do të mbështesni kërkesën tonë dhe do të vendosni që ndeshja VËLLAZNIMI – PRISHTINA, të zhvillohet të dielën më 25.02.2018, Ju përshëndesim.

Me respekt,

K.F.”VËLLAZNIMI”- Gjakovë

Sekretari, Blerim Vula, d.v.”. 

(Kosova Sot)