Fillimi i zhurmshëm, sinjal për një pranverë shumë të nxehtë

  • 22 February 2018 - 08:59
Fillimi i zhurmshëm, sinjal për një pranverë shumë të nxehtë

STARTI I STINORIT PRANVEROR DHA SINJALE SE DO TË KEMI NJË KAMPIONAT JASHTËZAKONISHT TË FORTË

Shumë skuadra tashmë kanë objektiva të qarta në këtë kampionat. 

Zhurma dhe tensioni bukur i madh i shfaqur që në ndeshjet e para të stinorit pranveror të Vala Superligës së Kosovës në futboll, është sinjal se kampionati i sivjetmë mund të jetë më i vështirë sesa i paralajmëruar. Derbi në Gjilan ndërmjet Dritës e Feronikelit, nuk ishte se nuk kaloi pa tension, ndërsa në Mitrovicë në ndeshjen Trepça'89 - Vëllaznimi, kishte tollovi ndërmjet shikuesve. Edhe në Skenderaj dueli ndërmjet Drenicës e Besës i mbyllur pa fitues nuk kaloi krejtësisht qetë, për çka komisioni i garave ishte i detyruar të hapë procedurë ndaj drejtorit sportive të Drenicës Tahir Lushtaku, pas ofendimeve që kishte bërë në fundin e takimit në adresë të gjyqtarëve. Sido që të jetë, ky kampionat deri në fund pritet të sjellë shumë luftë, pasi shumë skuadra tashmë kanë objektiva të qarta qoftë në luftë për titull, qoftë në luftë për ekzistencës. Se si do të rrjedhin gjërat deri në fund mbetet të shihet, por ndeshjet e para janë sinjal se klubet, gjyqtarët, futbollistët dhe vetë FFK-ja duhet të mobilizohet maksimalisht që gara të ketë një rrjedhë normale dhe assesi të dalë jashtë binarëve.

FFK-ja kërkon prokuror të posaçëm

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv ka thënë se për të pasur një stinor të rregullt dhe që të hiqen të gjitha paragjykimet për ndonjë kurdisje të mundshme, duhet të angazhohet një prokuror që do të merret shumë me çështjet e futbollit

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv ka thënë se për të pasur një stinor të rregullt dhe që të hiqen gjitha paragjykimet për ndonjë kurdisje të mundshme, duhet të angazhohet një prokuror që do të merret shumë me çështjet e futbollit. "KE-ja u bën thirrje të gjithëve që të angazhohen maksimalisht për respektimin e skuadrave rivale, delegatëve, zyrtarëve të ndeshjeve dhe gjyqtarëve, duke u ofruar komoditet dhe gara në frymë sportive e korrekte si dhe deklarimet e të gjithëve të jenë në përputhje me kodin e mirësjelljes që do t'u ndihmonte në mbarëvajtjen e garave dhe në frymën e misionit sportiv. Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri do të mbajë një takim me prokurorin e shtetit nga i cili do të kërkojë që të angazhojë një prokuror, i cili do të kishte prioritet lëndët e çfarëdo lloj dukurie e parregullsie negative që dëmtojnë futbollin e Kosovës", thuhet në njoftimin e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Dajaku: FFK-ja ta bëjë maksimumin 

"Unë mendoj që Federata do ta bëjë maksimumin për të deleguar gjyqtarë dhe zyrtarë adekuatë nëpër ndeshje, në mënyrë që të jetë nën kontroll e gjithë rrjedha e kampionatit. Shpresoj dhe uroj që gjithçka të ecë mbarë, pasi vërtet është një kampionat interesant dhe i tillë besoj se do të jetë deri në fund", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Taulant Dajaku

Njëri nga futbollistët më me përvojë në Kosovë, Taulant Dajaku gjatë bisedës për gazetën "Kosova Sot", nuk e ka mohuar mundësinë që kjo pranverë të sjellë shumë zhurmë, por ai ka kërkuar nga FFK-ja dhe të gjithë pjesëmarrësit në gara që japin maksimumin që kampionati të jetë në nivel dhe mos të sjellë assesi skena të padëshiruara. "Edhe në të kaluarën kemi pasur pranverë të nxehtë, por sivjet e bën edhe më të nxehtë fakti se ka 4 ekipe që po luftojnë maksimalisht për titull, derisa të gjitha ekipet e tjera nuk e kanë luksin të kalkulojnë, kështu që duhet maksimalisht të luftojnë për pikë. Kjo e bën garën të fortë dhe të papërshkruar", ka thënë Dajaku për gazetën "Kosova Sot", duke folur më pas edhe për mundësinë e tensionit nëpër stadiume. "Unë mendoj që Federata do ta bëjë maksimumin për të deleguar gjyqtarë dhe zyrtarë adekuatë nëpër ndeshje, në mënyrë që të jetë nën kontroll e gjithë rrjedha e kampionatit. Shpresoj dhe uroj që gjithçka të ecë mbarë, pasi vërtet është një kampionat interesant dhe do të jetë i tillë besoj deri në fund", ka përfunduar Taulant Dajaku.

(Kosova Sot)