Shpresat e Kosovës

  • 22 February 2018 - 09:47
Shpresat e Kosovës

VAZHDOJNË PËRGATITJET E KOSOVËS NË BASKETBOLL

Përzgjedhësi i kënaqur me rrjedhën e stërvitjeve . Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll është duke i vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese ndaj Polonisë dhe Lituanisë. Përzgjedhësi i Kosovës, Brad Greenberg dhe basketbollisti Fisnik Rugova janë shprehur se nuk luajnë me flamur të bardhë dhe do të mundohen të bëjnë sa më mirë në këto dy ndeshje, sidomos në sfidën e parë ndaj Polonisë 

Përfaqësuesja e Kosovës po vazhdon me stërvitje në Poloni, para dy ndeshjeve kualifikuese të Kampionatin Botëror ndaj Polonisë dhe Lituanisë. Kosova do të ballafaqohet me Poloninë më 23 shkurt duke filluar nga ora 19:00 në Wloclawek, kurse më 26 shkurt në Klaipeda do të jetë mysafire e Lituanisë, takim ky që do të luhet me fillim nga ora 19:30. Të dyja këto ndeshje i takojnë Grupit C të kualifikimeve evropiane të Kupës së Botës "Kina 2019", ku Kosova është në grup me Lituaninë, Hungarinë dhe Poloninë. Duhet theksuar se në dy ndeshjet e kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019", Kosova ka pësuar disfata, së pari në shtëpi në përballje me Lituaninë dhe më pas si mysafire në ballafaqim me Hungarinë.

Jones për herë të parë në ekipin e Kosovës

Brad Greenberg, përzgjedhës i Kosovës në basketboll është shprehur i kënaqur me rrjedhën e stërvitjeve dhe lojtarët që ka në ekip."Deri më tani i kemi zhvilluar tri stërvitje dhe jam i kënaqur me punën që e kanë bërë basketbollistët. Është shumë mirë që i kemi që të gjithë këtu dhe posaçërisht që tani e kemi në dispozicion edhe Shawn Jonesin dhe që është rikthyer Erjon Kastrati. Jemi të emocionuar, ky është një shans i mirë për të luajtur në Poloni, pasi që kemi dëgjuar se këtu atmosfera është shumë e mirë. 

Po ashtu Polonia ka një skuadër shumë të fortë, aktualisht është e 28-ta në renditjen botërore, por unë besoj se djemtë tanë do të bëjnë më të mirën", ka theksuar trajneri amerikan. Ai shtoi se edhe lojtarët janë në formë të mirë para këtyre dy ndeshjeve. "Dardani (Berisha) është në formë të mirë, Lisi (Shoshi) po ashtu, ata me ekipet e tyre në Çeki, përkatësisht Lituani janë më mes të edicioneve. Po ashtu edhe Shawn është duke bërë mirë me klubin e tij Dinamo Sassari në Itali. Kjo përbërje e ekipit do të luaj për herë të parë së bashku, Shawn nuk ka luajtur asnjëherë deri më tani me Erjonin dhe unë nuk e kam pasur rastin që ta kem atë në dispozicion kurrë më parë. Ne kemi shumë punë të bërë, por shpresojmë të luajmë sa më mirë më 23 shkurt kundër Polonisë dhe më 26 ndaj Lituanisë", nënvizoi përzgjedhësi i Kosovës në basketboll.

Nuk dorëzohen 

Qendra e Kosovës, Fisnik Rugova, ka theksuar kanë dy ndeshje të vështira, megjithatë nuk do të dorëzohen dhe do të mundohen të bëjnë më të mirën në këto dy sfida."Kemi dy ndeshje të vështira si mysafirë, ndaj Polonisë dhe Lituanisë. Do të jetë mese e vështirë, pasi janë dy skuadra me lojtarë cilësorë, por ne jemi duke u përgatitur maksimalisht për duelin e parë ndaj Polonisë. Shpresojmë të nxjerrim rezultat pozitiv në takimin e parë. Përvoja është në anën e tyre, sepse kanë lojtarë që luajnë në liga të forta evropiane, megjithatë, nëse ne luajmë për njëri-tjetrin dhe me mbrojtje e sulm të organizuar atëherë mund t'i mposhtim. Ndaj Lituanisë do të jetë edhe më vështirë, pasi njihen si vend i basketbollit, por ne nuk kemi ardhur këtu të dorëzuar dhe do të japim më të mirën", është shprehur Fisnik Rugova për gazetën "Kosova Sot". 

Kosova do të ballafaqohet me Poloninë më 23 shkurt duke filluar nga ora 19:00 në Wloclawek, kurse më 26 shkurt në Klaipeda do të jetë mysafire e Lituanisë, takim ky që do të luhet me fillim nga ora 19:30

(Kosova Sot)