Lewandowski emëron agjent të ri midis thashethemeve se do ta lërë Bayernin për Realin

  • 22 February 2018 - 17:37
Lewandowski emëron agjent të ri midis thashethemeve se do ta lërë Bayernin për Realin

Sulmuesi i Bayern Munichut, Robert Lewandowski, e ka emëruar Pini Zahavin në pozitën e agjentit të tij të ri, në një kohë kur thashethemet se ai do të kalojë në Real Madridi vazhdojnë të qarkullojnë.

Lewandowski është shumë i frytshëm edhe këtë sezon duke shënuar 20 gola në ligë për ta kryesuar listën e golashënuesve në Bundesligë dhe vënë Bayernin në rrugën e duhur për titullin e gjashtë më radhë.

Sulmuesi polak është lidhur ngushtë me një kalim te Real Madridi në fund të këtij sezoni, por ai i ka hedhur poshtë thashethemet rreth të ardhmes, megjithëse emërimi i agjentit izraelit do të nxisë edhe më shumë spekulime se ai do ta braktisë Bayernin.

“Jam i lumtur që Roberti ka vendosur të bashkëpunojë me mua. Do të bëj gjithçka për të punuar mirë në emër të tij. Ai është sulmuesi më i mirë në botë, prandaj nuk është befasi se kam sinjale se klubet e mëdha kanë shprehur interesim për të”, ka thënë Zahavi për gazetën polake “Przeglad Sportowy”

(Kosova Sot)