Gjyqtarët, nën presionin e klubeve

  • 23 February 2018 - 08:27
Gjyqtarët, nën presionin e klubeve

ZHURMA DHE ANKESAT NË GJYQTARËT MUND TA PRISHIN EKUILIBRIN E GARAVE

Shumë dëshira për një trofe po e bëjnë garën shumë interesante

Shumë skuadra po luftojnë për SHKURT titull të kamponit, derisa ekipet tjera kanë synim mbetjen në elitën e futbollit dhe bën që asnjë klub mos të jetë në pozitë komode. Kjo po e rrit presionin te klubet duke mos i anashkaluar edhe gjyqtarët, ku zhurma dhe ankesat në adresë të tyre që në start të garave nuk ishin aspak të vogla

Kampionati i sivjetmë jo kot është cilësuar si njëri nga më joshësit e pasluftës, pasi shumë skuadra po luftojnë për titull të kamponit, derisa shumë të tjera kanë synim mbetjen në elitën e futbollit. Pikët në këtë fazë të garave janë mese të domosdoshme dhe kjo është arsyeja që ka krijuar një lloj presioni te klubet, duke mos i anashkaluar as gjyqtarët, ku zhurma dhe ankesat në adresë të tyre që në start të garave nuk ishin aspak të vogla. Se cila ishte paraqitja e tyre në javët e para dhe sa mund ta përballojnë presionin, i cili pritet të jetë në rritje në vazhdim, mbetet të shihet. Analistët vlerësojnë se ata në javën e parë ishin në nivelin e detyrës, derisa vetë futbollistët po bëjnë thirrje për një respektim të rregulloreve nga të gjithë, mënyrë kjo e vetme për ta mbajtur nën kontroll kampionatin. 

Gabimet duhet kuptuar 

"Gjyqtarët duhet t'i lëmë të referojnë pa presion nëse duam të kemi një kampionat të rregullt. Unë plotësisht jam në krahun e tyre, edhe kur gabojnë. Mirëpo, sigurisht që edhe këta gjyqtarët duhet maksimalisht të jenë të vëmendshëm dhe ato gabime nëse ndodhin gjithmonë të jenë gabime njerëzore e assesi të qëllimshme", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Valmir Bytyçi

Ish-futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, tash trajner të KF Besa, Valmir Bytyçi, ka thënë se java e parë tregoi se kemi të bëjmë me një garë shumë të fortë, derisa për gjyqtarët po beson se do të arrijnë ta mbajnë nën kontroll lojën. Në javën e parë të stinorit, skuadra e Bytyçit, Besa, arriti të marrë një pikë me vlerë në Skenderaj ndaj Drenicës, ku tensioni në fundin e saj ishte bukur i madh, pasi vendasit nuk mund të pajtoheshin me mënyrën e ndarjes së drejtësisë nga gjyqtarët në atë takim."Unë, si gjithmonë, them që ne duhet gjyqtarët t'i lëmë të qetë të referojnë, pa presion. Fyerjet janë të ndaluara ndaj gjyqtarëve", ka thënë Bytyçi, i cili e pranon se në shumë raste fyerjet dhe presioni është shumë i madh tek gjyqtarët. "Në shumë raste jemi dëshmitarë të fyerjeve të panevojshme. Edhe gjyqtarët kanë integritet të vetin dhe kanë familje, andaj jam plotësisht në krahun e tyre edhe kur gabojnë. Mirëpo, sigurisht që edhe këta gjyqtarët duhet maksimalisht të jenë të vëmendshëm dhe ato gabime nëse ndodhin gjithmonë të jenë gabime njerëzore e assesi të qëllimshme. Të gjithë e dimë që në fund një del kampion dhe patjetër dy do të bien nga Liga, andaj dikush duhet ta përjetojë këtë dhe ne si sportistë duhet ta pranojmë me korrektësi", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Valmir Bytyçi.

Pranverë me shumë të papritura

Sa i përket kampionatit, ndihmëstrajneri i Besës, Valmir Bytyçi, ka thënë se pritet të jetë një garë shumë e fortë dhe e papërshkruar. "Do të jetë një stinor shumë i fortë, pasi lufta si për titull ashtu edhe për mbijetesë është e fortë. Për sa i përket kreut të tabelës, them që do të ketë paqartësi të paktën deri në përfundimin e ciklit të dytë. Në pjesën e tretë them që do të mbesin 3-4 ekipe që pretendojnë vendin e parë. Mund të them që Prishtina dhe Llapi kanë lojtarë në numër më shumë cilësorë që do t'ju mundësojë paraqitje të mira edhe pas mungesave eventuale 'kartonë ose lëndime'", ka vlerësuar gardiani pejan për gazetën "Kosova Sot", duke folur më pas edhe për pjesën e poshtëm të tabelës."Edhe për ekzistencë do të bëhet një luftë shumë e fortë. Për sa i përket Besës, mendoj që e kemi nisur mirë, edhe pse nga ajo qe kemi dhënë në Drenicë është dashur të kthehemi me pikë të plota. Në anën tjetër humbja e Flamurtarit na favorizon neve, edhe pse e pash një Flamurtar shumë të fortë dhe do të jetë në luftë deri në fund për barazh", ka përfunduar Valmir Bytyçi.

(Kosova Sot)