Sfida e Kosovës

  • 23 February 2018 - 08:31
Sfida e Kosovës

POLONI-KOSOVË, E PREMTE (ORA 19:00) 

Ndeshje aspak e lehtë për Përfaqësuesen e basketbollit. Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll sonte do të ndeshet me Poloninë, në një sfidë aspak të lehtë, por në kampin kosovar janë optimistë për rezultat pozitiv. Basketbollistët shprehen se do të japin maksimumin në këtë sfidë, dhe atë të ardhshme ndaj Lituanisë, ku do të jetë edhe më vështirë

Kosova sonte do të ketë një ndeshje shumë të vështirë, ku do të jetë mysafire e Polonisë, derisa të hënën është mysafire e Lituanisë. Të dyja këto ndeshje i takojnë Grupit C të kualifikimeve evropiane të Kupës së Botës "Kina 2019", ku Kosova është në grup me Lituaninë, Hungarinë dhe Poloninë. Kosova ndodhet në vendin e fundit në këtë grup me dy pikë, kurse Hungaria e Polonia kanë nga tri, derisa lidere është Lituania me katër sosh. Basketbollisti i Polonisë, Kamil Laczynski, nuk i shkon as në mendje humbja ndaj Kosovës, të premten. Laczynski për mediumet polake ka deklaruar se fitorja në këtë përballje nuk diskutohet. Ai insiston se pos Kosovës, Përfaqësuesja e Polonisë duhet ta mposhtë edhe Hungarinë tri ditë më vonë për të siguruar kalimin në raundin e dytë kualifikues.

Optimizëm në kampin e Kosovës

Megjithatë në kampin e Kosovës janë shumë optimistë se do të arrijnë rezultat pozitiv ndaj polakëve. Takim i veçantë do të jetë për Dardan Berishën, i cili më herët ka luajtur për Përfaqësuesen e Polonisë, madje, në Kampionatin Evropian më 2011, duke shkëlqyer.

"Jemi shumë të lumtur që jemi kthyer prapë bashkë, i dimë qëllimet tona, por edhe e dimë që nuk do të jetë lehtë. Të gjithë bashkëlojtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kjo na jep motivim që të bëjmë sa më mirë në duel me Poloninë. Scott Bamforth nuk ka pasur mundësi për shkak të rikuperimit të bashkëngjitet me ne, por është mirë që Shawn Jones është me ne në ekip, dhe mendoj se ai do të na ndihmojë shumë. Skuadra nuk është e njëjta siç ka qenë në muajin nëntor, por ne do ta japim 100% tonë në stërvitje dhe në ndeshje, si dhe do të mundohemi të bëjmë një befasi për të mposhtur një ekip të fortë siç është Polonia", është shprehur Berisha.

Ndërkohë, sfida aspak të lehta i ka përshkruar ndeshjet, qendra e Kosovës, Fisnik Rugova. "Do të jetë shumë e vështirë, pasi janë dy skuadra me lojtarë cilësorë, por ne jemi duke u përgatitur maksimalisht për duelin e parë ndaj Polonisë. Shpresojmë të nxjerrim rezultat pozitiv në takimin e parë. Përvoja është në anën e tyre, sepse kanë lojtarë që luajnë në liga të forta evropiane, megjithatë, nëse ne luajmë për njëri-tjetrin dhe me mbrojtje e sulm të organizuar atëherë mund t'i mposhtim. Ndaj Lituanisë do të jetë edhe më vështirë, pasi njihen si vend i basketbollit, por ne nuk kemi ardhur këtu të dorëzuar dhe do të japim më të mirën", është shprehur Fisnik Rugova për gazetën "Kosova Sot".

Ndeshje jo e lehtë

Përzgjedhësi amerikan i Kosovës, Brad Greenberg, thotë se ky është një rast i mirë për Kosovën. "Jemi të emocionuar, ky është një shans i mirë për të luajtur në Poloni, pasi që kemi dëgjuar se këtu atmosfera është shumë e mirë. Po ashtu Polonia ka një skuadër shumë të fortë, aktualisht është e 28-ta në renditjen botërore, por unë besoj se djemtë tanë do të bëjnë më të mirën. Kjo përbërje e ekipit do të luaj për herë të parë së bashku, Shawn nuk ka luajtur asnjëherë deri më tani me Erjonin dhe unë nuk e kam pasur rastin që ta kem atë në dispozicion kurrë më parë. Ne kemi shumë punë të bërë, por shpresojmë të luajmë sa më mirë më 23 shkurt kundër Polonisë dhe më 26 ndaj Lituanisë", deklaroi Greenberg. Në dy takimet e para kualifikuese nuk kishte luajtur Erjon Kastrati për shkak të lëndimit. Ai është shprehur i kënaqur që është rikthyer në stërvitje dhe të ndihmojë Kosovën në këto dy ndeshje aspak të lehta. "Polonia është një Përfaqësuese e fortë, por ne jemi optimistë dhe nëse e japim maksimumin nga vetja shpresojmë në rezultat pozitiv", nënvizoi Kastrati.

Kosova sonte është mysafire e Polonisë, në ndeshjen që fillon nga ora 19:00, derisa më 26 shkurt është mysafire e Lituanisë

Përfaqësuesja e Kosovës në dy ndeshjet e para pësoi disfatë, fillimisht nga Lituania 61:99, dhe nga Hungaria 84:76.

(Kosova Sot)