Shumë nxehtë në Gjakovë dhe Podujevë

  • 24 February 2018 - 08:35
Shumë nxehtë në Gjakovë dhe Podujevë

SOT DHE NESËR ZHVILLOHET JAVA E 20-TË E VALA SUPERLIGËS SË KOSOVËS NË FUTBOLL

Edhe lufta për ekzistencë mund të marrë drejtim tjetër. Ky vikend mund të sqarojë shumëçka sa i përket të ardhmes së këtij kampionati. Përballja ndërmjet Llapit e Dritës po pritet me kureshtje të madhe. Shumë nxehtë pritet të jetë edhe në Gjakovë, ku ndeshen dy skuadrat më me traditë në futbollin tonë, Vëllaznimi e Prishtina, por që sivjet objektivat e tyre janë krejtësisht të ndryshme.

J ava e 20-të e Vala Superligës së Kosovës në futboll mund t'i japë një drejtim të qartë kampionatit të sivjetmë. Dy skuadrat që tashmë e kanë hapur kandidaturën për titullin e kampionit, Llapi e Drita, do të ndeshen të dielën ndërmjet vete dhe fituesi do të bënte një hap të madh drejt titullit të kampionit, derisa humbësi do ta kishte tejet të vështirë t'i kompensojë pikët e humbura. Një ndeshje tjetër që po pritet më kërshëri është ajo ndërmjet rivalëve të vjetër, Vëllaznimit e Prishtinës, dy skuadra këto që në këtë kampionat kanë aspirata krejtësisht të kundërta. Prishtina duhet medoemos të fitojë për ta ruajtur pozitën e parë, derisa Vëllaznimi duhet të mbledhë sa më shumë pikë për t'i ikur më të keqes, largimit nga Liga. Komisioni i garave tashmë e ka caktuar edhe orarin e ndeshjeve, ku ka paraparë që tri takime të luhen ditën e shtunë, dy të dielën ndërsa java mbyllet të hënën me ballafaqimin Vllaznia - Drenica, ekipe këto që synim kryesor e kanë mbetjen në shoqërinë elite.

Spektakël në Podujevë

Përballja ndërmjet Llapit e Dritës pritet të sjellë një luftë të jashtëzakonshme në fusha, pasi pikët pothuaj janë jetike për të dyja skuadrat për vazhdimin e garave. Mirëpo, një luftë e madhe do të jetë edhe në tribuna ky dyja tifozëritë kanë paralajmëruar një spektakël në mbështetje të skuadrave të tyre. Ballafaqimi ndërmjet Llapit e Dritës luhet ditën e diel dhe fituesi shumë lehtë mund të përfundojnë në pozitën e parë, me kusht që Prishtina do të pësoi në Gjakovë. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina para kësaj ndeshjeje ka thënë se ekipi i tij është në gjendje të mirë dhe se përveç fitores asnjë rezultat tjetër nuk do ta pranonte. Me të njëjtat synime udhëton edhe skuadra gjilanase drejt Podujevës dhe kjo është arsyeja të pritet një ndeshje shumë e fortë dhe pa kalkulime.

Mobilizohet Gjakova

Pa dyshim njëra nga ndeshjet më joshëse të ditës së shtunë është ajo në Gjakovë, ku ndeshën Vëllaznimi e Prishtina dy skuadra këto më me traditë në futbollin tonë, por ja që sot synimet e tyre janë krejtësisht të kundërta. Derisa Prishtina po lufton për titullin e kampionit, Vëllaznimi të vetmin objektiv në këtë kampionat e ka mbetjen në elitën e futbollit. Se a do të arrijë Prishtina pas shkëlqimit në javën e parë ndaj Llapit të shkëlqejë edhe në Gjakovë, mbetet të shihet. Në anën tjetër Vëllaznimi pas humbjes ndaj Trepçës'89, në javën e parë do të tentojë me çdo kusht të marrë pikë në mënyrë që javën e ardhshme ta presë më i qetë, ndryshe gjërat do të komplikohen jashtëzakonisht shumë. "Do të jetë ndeshje e vështirë sepse prej kur unë e mbaj në mend gjithmonë ka qenë derbi me rivalitet të madh, përballje shumë interesante dhe të vështirë për dy skuadrat. Unë e kam parë ndeshjen e Vëllaznimit me Trepçën '89 dhe kanë luajtur shumë mirë. Dhe jo vetëm me Llapin apo Vëllaznimin, por në këtë moment përballja me çdo skuadër është e vështirë, sepse të gjitha po luftojnë për tri pikë dhe për objektiva të ndryshme në klasifikim", ka thënë futbollisti i Prishtinës, Debatik Curri.

Joshëse edhe në Pejë e Gjilan

Dy takime tjera që kanë zgjuar kërshëri te tifozëve është edhe ajo në Pejë e Gjilan. Kampioni aktual Trepça'89 udhëton drejt Pejës për t'u ndeshur me Besën, skuadër kjo që kampionatin e nisi shumë mirë dhe sikur të kishte vetëm pak fat do të merrte tri pikë në Skenderaj përballë Drenicës. Se çfarë kanë përgatitur pejanët këtë herë përballë kampionëve, mbetet të shihet, por një është e sigurt, mitrovicasit do ta kenë shumë të vështirë të marrin pikë të plota, të cilat njëherësh janë mese të nevojshme për ta mbajtur në hap me ekipet tjera në luftë për titull. Një ndeshje e fortë me epilog të paqartë deri në fund pritet të jetë ndërmjet Gjilanit e Lirisë dy ekipe këto që po luftojnë për kreun e tabelës. Skuadra e Arbnor Morinës pas fitores si mysafire ndaj Flamurtarit do të kërkojë vazhdimësinë, derisa Liria nuk ka rrugë tjetër veçse të fitojë, ndryshe do t'i jepte fund ëndrrës për titull. Në anën tjetër një sfidë shumë e vështirë e pret edhe Feronikelin, i cili do të ndeshet me Flamurtarin. Edhe pse skuadra e Flamurtarit është në pjesën e fundit të tabelës, me lojën e treguar në takimin ndaj Gjilanit dëshmoi se është ekip i fortë dhe nuk mposhtet lehtë, kështu që skuadra nga Drenasi nëse dëshiron të mbetet konkurrente në luftë për titull duhet të djersitet shumë për të ardhur te fitorja. Takimi i fundit, i cili edhe e mbyll javën e 20-të, është ai i ditës së hënë, ku ndeshen dy skuadra në luftë për ekzistencë, Vllaznia dhe Drenica. Për Vllaznin humbja do të thoshte largim nga elita e futbollit.

(Kosova Sot)