Xhaka e Mustafi sfidojnë Milan-in

  • 24 February 2018 - 08:40
Xhaka e Mustafi sfidojnë Milan-in

Dje, në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti për të tetën e finales së Ligës së Evropës në futboll, ku spikasin disa ndeshje mjaft interesante. Njëra nga ndeshjet më joshëse cilësohet të jetë ajo ndërmjet Milan-it dhe Arsenal-it. Dy futbollistët shqiptarë të Arsenal-it, Granit Xhaka e Shkodran Mustafi, do të kenë sprovë të zorshme, por shpresojnë se do ta eliminojnë shtatë herë kampionin e Evropës dhe në këtë mënyrë t'i heshtin kritikët të cilët kohëve të fundit kanë qenë bukur të zhurmshëm, sidomos në adresë të Xhakës.

Të kujtojmë se Xhaka sfidën e fundit të Arsenalit ndaj Ostersund-it në Ligën e Evropës, e nisi nga bankina, kur rezultati ishte 2:0, për mysafirët dhe se inkuadrimi i tij në lojë në fillimin e pjesës së dytë rezultoi i suksesshëm, pasi "topçinjtë" arritën të shënojnë një gol dhe ta sigurojnë kualifikimin. Përveç Xhakës e Mustafit, në këto gara do t'i shohim edhe dy shqiptarë tjetër, Valon Berishën me Salzburg-un dhe Thomas Strakoshan me Lazio-n.

(Kosova Sot)