Zidane e lartëson Ronaldon

  • 24 February 2018 - 23:16
Zidane e lartëson Ronaldon

Vendimi i Cristiano Ronaldos për të mos e shfrytëzuar mundësinë për të shënuar het-trik dhe ta lejojë Karim Benzeman ta ekzekutojë penalltinë në fitoren 4-0 të Real Madridit ndaj Alavesit të shtunën pasdite ka bërë të marrë lëvdata nga trajneri Zinedine Zidane.

Benzema është duke përjetuar një sezon shumë të dobët para portës, pasi ka shënuar vetëm tre gola në La Liga para ndeshjes të së shtunës.

Tifozët në “Santiago Bernabeu” i fishkëllyen sulmuesit francez kur ai e humbi një rast të pastër për gol në një kohë kur rezultati ishte 0-0.

Por, 30-vjeçari reagoi duke asistuar në dy golat pasues të Real Madridit, që u realizuan nga Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale.

Në fund të ndeshjes, Bale fitoi penallti dhe kur të gjithë mbase menduan se Ronaldo do ta ekzekutonte atë për ta kompletuar het-trikun, portugezi bëri një gjest fantastik duke e lejuar Benzeman të gjuante, i cili e bëri dhe shënoi për 4-0/.

“Jam i lumtur për gjestin e mirë të Ronaldos me Karimin”, ka thënë Zidane pas ndeshjes.

“Kjo tregon se ai është lojtar që luan për ekipin. Karim e meritoi të shënonte gol sepse luajti një ndeshje shumë të mirë”, shtoi trajneri francez.

(Kosova Sot)