Vështirë për Trepçën

  • 25 February 2018 - 09:43
Vështirë për Trepçën

MITROVICASIT, DY PIKË LARG VENDIT TË KATËRT

'Lufta' për "Play-off' ndërmjet tri skuadrave

Stinori pranveror në Superligën e Kosovës në basketboll ka dhuruar ndeshje të bukura dhe mjaft interesante, derisa 'lufta' është duke u zhvilluar për 'Play-off' dhe mbijetesë, pasi Sigal Prishtina ka siguruar vendin e parë. Trepça, që është dy pikë pas Rahovecit dhe Yllit, shpreson të jetë pjesë e garave përfundimtare, edhe pse do ta ketë shumë vështirë. Së fundi, 'Xehetarët' kanë angazhuar amerikanin Johnathan David

Derisa Sigal Prishtina ka siguruar vendin e parë, 'lufta' në elitën e basketbollit do të zhvillohet për një vend në garat përfundimtare dhe për mbijetesë. Në dy 'frontet' lufta po zhvillohet ndërmjet tri skuadrave. Për garat përfundimtare po luftojnë Golden Eagle Ylli, Rahoveci dhe Trepça,kurse për mbijetesë Peja, Borea dhe Kerasan Prishtina. Ylli dhe Rahoveci, që ndodhen në vendin 3, përkatësisht 4, kanë dy pikë më shumë se mitrovicasit dhe 'Xehetarët' do të kenë shumë vështirë që të jenë pjesë e katërshes së madhe, edhe pse në pranverë kanë shkëlqyer, kurse në vjeshtë u ballafaquan me shumë probleme. 

Gabimet e vjeshtës

Mitrovicasit për të arritur objektivin që kanë së fundi kanë paraqitur për regjistrim, basketbollin amerikan, Johnathan David, i cili së fundi u paraqit në ekipin e Blokotehna nga Gjevgjelia. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi është shprehur se gabimet që i bënë në vjeshtë, po u kushtojnë shumë mitrovicasve. "Tani, kur po afrohen garat përfundimtare, skuadrat po bëjnë të pamundurën për të siguruar një vend në garat shtesë. Gjithashtu kjo vlen edhe për skuadrat që po luftojnë për mbijetesë, ku po zhvillohet një 'luftë' e ashpër. Sa i përket Trepçës, edhe më herët kam thënë se mitrovicasit kanë bërë shumë gabime në pjesën e parë të kampionatit dhe do ta kenë shumë vështirë që të sigurojnë 'Play-off'-in. Gabimet që kanë bërë në stinorin vjeshtor po u kushtojnë shumë mitrovicasve, dhe do të kenë shumë vështirë të jenë pjesë e garave shtesë", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Trepça në stinorin vjeshtor u ballafaqua me shumë probleme, madje, ishte edhe në dyshim nëse do të garonte për shkak të problemeve financiare dhe organizative. 

Interesant deri në fund

Për dallim nga vjeshta, mitrovicasit bënë përforcime për stinorin pranveror, dhe gjithashtu kthyen lojtarët vendorë, derisa u mbetet të rikuperojnë dy pikë, që kanë larg vendit të katërt, që njëkohë- sisht dërgon në garat shtesë. Krasniqi shton tutje se ky kampionat do të jetë interesant deri në fund. "Edhe pse ka paraqitur një basketbollist amerikan së fundi, jam skeptik, pasi lojtarëve iu nevojitet kohë për t'u ambientuar, si dhe përshtatja në skuadrën e re. Se sa do të arrihet kjo për një kohë të shkurtë, mbetet për t'u parë. Edhe skuadra e Rahovecit ka synime të njëjta, dhe për momentin ka më shumë pikë se skuadra mitrovicase dhe është në përparësi ndaj tyre. Megjithatë, në sport kanë ndodhur befasi edhe në të kaluarën dhe do të ishte befasi nëse Trepça do të hyjë në garat përfundimtare, duke e bërë kampionatin më interesant deri në fund të garave", ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Kur janë zhvilluar 20 xhiro në elitën e basketbollit, Trepça ka shënuar nëntë fitore dhe ka pësuar 11 humbje, duke grumbulluar 29 pikë, apo dy më pak se Ylli dhe Rahoveci. Në xhiron e ardhshme, mitrovicasit do të kenë një test të vështirë ndaj Bashkimit në udhëtim, ndërkohë që skuadra prizrenase ka forcuar vendin e dytë, dhe me gjasë do të përfundojë garat e rregullta në këtë pozitë.

(Kosova Sot)