Trajnerët 'shkojnë e VIJNË' TE BASHKIMI

  • 01 March 2018 - 08:44
Trajnerët 'shkojnë e VIJNË' TE BASHKIMI

PRIZRENASIT KANË NDËRRUAR KATËR TRAJNERË DERI MË TANI 

Dragan Radoviq u rikthye te Portokallinjtë 

Skuadra e Bashkimit mban rekordin për trajnerë në këtë edicion, ku ka ndërruar katër deri më tani. Së fundi kanë angazhuar Dragan Radoviq, i cili udhëhoqi prizrenasit edicionin e kaluar. Por, kjo vlerësohet si joserioze, derisa është problem edhe për lojtarët për t'u përshtatur sa herë vijnë trajnerët e rinj 

Rrallëherë ka ndodhur që një skuadër të ndërrojë katër trajnerë gjatë një edicioni. Këtë e ka bërë këtë edicion skuadra e Bashkimit, që ka kthyer trajnerin Dragan Radoviq, i cili të hënën ka zbritur në Prizren. Radoviq edicionin e shkuar ishte në krye të Bashkimit dhe arriti deri në finale të "play-offit". Ai në postin e trajnerit zëvendësoi grekun Stratos Koukoulekidis. Radoviq është trajneri i katërt te Bashkimi këtë edicion, pasi me herët ishin edhe Petar Milloviq e Fotis Takianos. Krahas trajnerit Radoviq, Bashkimi është përforcuar edhe me basketbollistin Ergin Grosha që ka luajtur në Turqi te Bandirma Kirmizi. 

Joseriozitet i madh nga klubi

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, ka thënë se nuk është aspak profesionale dhe trajnerët gjithmonë e paguajnë çmimin e rezultateve me shkarkim. "Në vendet ku funksionon sporti dhe tradita sportive, këto veprime siç kanë ndodhur te Bashkimi tregon një joseriozitet të skajshëm të zyrtarëve të klubit. Unë jam vetë trajner dhe e di shumë mirë se rezultatet e mira u dedikohen lojtarëve dhe zyrtarëve të klubeve, ndërsa dështimet automatikisht trajnerëve dhe nuk thuhet rastësisht se trajnerët gardërobën duhet ta mbajnë në valixhe, sepse ndërrohen shumë shpesh, edhe atëherë kur nuk e pret askush", ka thënë Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot", duke shtuar:"Megjithatë, në vendet profesioniste këto gjëra janë shumë mirë të rregulluara me ligj, dhe nëse një trajner largohet, atëherë kontrata respektohet deri në fund, ndërsa tek ne është e kundërta, nënshkruhet kontrata dhe nuk zbatohet fare dhe nuk kanë ku të ankohen trajnerët. Sa i përket Bashkimit, kjo është tejmase joserioze dhe reputacionin e klubit e sjell nën zero. Sipas meje është dashur të japin llogari ndaj klubit dhe ata persona të cilët po i angazhojnë trajnerët, e jo të japin përgjegjësi vetëm trajnerët. Këto pasoja po i bart vetëm trajneri dhe atë me shkarkim", theksoi tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

Duhet të reagojë edhe Shoqata e Trajnerëve

Por, këto ndërrime të shpeshta të trajnerëve ndikojnë negativisht edhe te lojtarët, të cilët e kanë vështirë të adaptohen sa herë ndërrohen trajnerët. Ai kërkon ndihmë edhe nga Shoqata e Trajnerëve."Njëkohësisht këto ndërrime ndikojnë negativisht te lojtarët të cilët e kanë shumë vështirë të mbërrijnë formën e duhur, kur dihet se secili trajner e ka mënyrën e punës të veçantë dhe lojtarët duhet t'i përshtaten trajnerit, andaj është shumë e vështirë për ata. Kjo dukuri është e shfaqur tejmase tek ne dhe jo vetëm në basketboll, por edhe në sporte tjera. Kjo është shumë e dëmshme për sportin e Kosovës. Unë mendoj dhe apeloj te Shoqatat e Trajnerëve që të jenë më këmbëngulës dhe t'iu ndalin në mbrojtje trajnerëve, pasi për këtë qëllim edhe janë formuar", ka përfunduar Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Në Superligën e Kosovës në basketboll, Bashkimi ka 15 fitore dhe pesë humbje, duke 'blinduar' vendin e dytë, kurse gjithashtu është skuadra e vetme kosovare në Ligën Ballkanike. Nga dhjetë ndeshje, ka pesë fitore dhe pesë humbje, duke u renditur në vendin e tretë dhe ka siguruar kualifikimin tutje të kësaj gare.

Dragan Radoviq është trajneri i katërt te Bashkimi këtë edicion. Më herët ishin Stratos Koukoulekidis, Petar Milloviq e Fotis Takianos

(Kosova Sot)