Rrezik nga balta, rrezik nga gurët

  • 06 March 2018 - 08:31
Rrezik nga balta, rrezik nga gurët

FUTBOLLI YNË VAZHDON TË SJELLË SKENA ASPAK TË HIJSHME

Në Skenderaj tifozët shkaktuan incidente të panevojshme

"Krejt problematikat që na shfaqen në sport dhe kudo tjetër janë problemet reale të shoqërisë tonë. Dhuna që ndodh kudo është për faj të të gjithë neve. Nëse policia është në stadium duhet të arrestojë aktorët që e shkaktojnë dhunën dhe t'i dënojë ata, në mënyrë që t'i bëjë shembull të vuajtjes së dënimeve për veprimet që bëjnë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Taulant Dajaku

Nuk po mjafton vetëm lloçi, që i ka mbërthyer tashmë fushat tona, për t'ju rrezikuar shëndetin futbollistëve tanë. Për ta dyfishuar rrezikun e tyre, në javën e fundit sikur u përkujdesën tifozët, të cilët me hedhje të gjësendeve të forta në fushë, maksimalisht e prishën imazhin futbollit, por edhe e rrezikuan skajshëm shëndetin e futbollistëve. Këtë herë ka qenë futbollisti kuqezi i Drenicë, Taulant Dajaku, i cili ka pësuar një lëndim në kokë, pas gjuajtjes së tifozëve gjilanas në ndeshjen Drenica - Gjilani, dhe nëse nuk ndërhyhet me kohë, atëherë në javët e ardhshme radhën mund ta ketë ndonjë futbollistë tjetër. Duhet pranuar që java e 21-të e Vala Superligës së Kosovës është zhvilluar në kushte ekstreme, madje sipas njohësve të futbollit disa ndeshje fare nuk është dashur të luhen, pasi fushat ishin të mbuluara me baltë dhe ishte e pamundur aty të zhvillohet lojë futbolli, gjë e cila edhe ua ka vështirësuar punën edhe gjyqtarëve, pasi e kanë pasur tejet të vështirë të gjykojnë në ndeshje të tilla ku startet dhe duelet ishin pothuajse të pakontrolluara për shkak të baltës. "Jemi shoqëri e re dhe duhet të nxisim kulturë,respekt dhe dashuri përmes sportit. Të shpresojmë që rastet që i pamë në fundjavë të mbesim të izoluara. Unë iu bëj thirrje policisë dhe organeve ligj-zbatuese, që të bëjnë maksimumin e tyre në realizimin e të drejtës që ua jep ligji, dhe ne si futbollistë pastaj të mundemi lirshëm ta bëjmë punën tonë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", futbollisti i Drenicës, Taulant Dajaku.

Infrastruktura po e prish imazhin

Futbolli ynë, përkatësisht ky kampionat, tashmë ka hyrë pothuaj në fazën vendimtare ku skuadrat po luftojnë të jenë sa më afër objektivave të tyre. Kjo edhe ka bërë që presioni të nisë të rritet si te klubet, ashtu edhe të futbollistët. Mirëpo, njëra nga ato që më së shumti po e rrezikon futbollin është infrastruktura. Me përkeqësimin e motit, fushat e futbollit pothuaj dolën jashtë përdorimit, por Komisioni i Garave i FFK-së vendosi të mos i shtyjë takimet. "Ishte e pakuptim sesi FFK-ja vendosi të mos i shtyjë ndeshjet, kur e di që infrastruktura në vendin tonë është katastrofale. Vendimi që ndeshjet të luhen, edhe pse kishte disa kërkesa nga klubet që ato të shtyhen, tregon një joseriozitet të Komisionit të Garave. Them se ishin fushat e përbaltura, shkas për disa parregullsi që i pamë, dhe shkas për cilësi të dobët gjë e cila sikur irritoi tifozët në tribuna ku pastaj pati edhe skena të pahijshme", ka thënë njohësi i mirë i futbollit, Nexhmedin Bunjaku, sipas të cilit Federata është dashur t'i shtyjë ndeshjet, ashtu siç u bë në shumë vende evropiane. Të kujtojmë se gjatë këtij vikendi, për shkak të motit të ligë, kishte shtyrje të ndeshjeve në Itali (Juventus - Atalanta), por edhe shumë sosh në Serie B, pastaj në Angli (Championship), në Skoci dhe në disa vende të tjera që për nga infrastruktura janë shumë më mirë sesa ne, kështu që edhe në Kosovë është dashur të shtyhen disa ndeshje së paku për ta ruajtur shëndetin e lojtarëve.

Huliganizmi po kthehet

Përveç baltës në fusha, ajo që u pa në fundin e ndeshjes Drenica - Gjilani, vërtet është për të ardhur keq, pasi sjellja e tifozëve mysafirë karshi lojtarëve nuk ka qenë aspak e mirë, sidomos në rastin kur u lëndua futbollisti Taulant Dajaku, pasi u qëllua në kokë nga tifozët. "Krejt problematikat që na shfaqen në sport dhe kudo tjetër janë problemet reale të shoqërisë tonë. Dhuna që ndodh kudo është për faj të të gjithë neve. Nëse policia është në stadium duhet të arrestoj aktorët që e shkaktojnë dhunën dhe t'i dënojë ata në mënyrë që t'i bëjë shembull shoqëror të vuajtjes së dënimeve për veprimet që bëjnë", ka thënë Dajaku, duke kujtuar se këso shfaqje dikur kishte edhe nëpër Evropë, por me kohë i zgjodhën. "Anglezët kanë pasur probleme të frikshme me huliganizëm, por kryeministrja Margaret Thatcher e kishte nxjerrë një ligj penalizues të fortë dhe sot ata janë të liruar nga ato akte vandale. Kështu duhet të veprojmë edhe ne, nëse duam që huliganizmi mos të përsëritet në ndeshjet e radhës", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Taulant Dajaku.

(Kosova Sot)