Vllaznimi në top formë!

  • 06 March 2018 - 16:19
Vllaznimi në top formë!

Vëllaznimi e ka eleminuar nga Kupa e Kosovës Dritën në mes të Gjilanit pas fitores së realizuar me triller nga penaltitë pasi ndeshja në kohë të rregullt përfundoi me rezultat 2-2. 

Ekipi gjilanas kishte dominimin në sfidë, megjithatë u befasua shumë shpejt nga mysafirët pas 10 minutash lojë.

Vetëm një minut më vonë në aksionin vijues ishte Kastriot Rexha që me ndihmën e shtyllës arriti të befasojë mysafirët duke barazuar në 1-1 (11′).

Me rezultatin paqësor u mbyll pjesa e parë, por vendasit nuk u pajtuan me këtë rezultat.

Ishte Bujar Shabani ai që asistoi për mrekulli te Kastriot Rexha i cili shënoi golin e tij të dytë personal dhe të epërsisë për vendasit (77′).

Kur të gjithë menduan se kjo ndeshje do të përfundonte me fitore të vendasve, Vëllaznimi në minutën e tretë të shtesës barazoi për 2-2.

Në vazhdime të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme dhe nuk pati gola. Ndeshja u vendos në penalti.

Ishte penaltia e tretë për Dritën ajo që u tregua fatale kur portieri mysafir ndali në mënyrë fantastike goditjen e Leo Kryeziut, të cilit nuk i ndihmuan as tifozët.

Mazrekaj më pas konvertoi penaltinë e katërt të Vëllaznimit, duke krijuar përparësi të hatashme. Xhevdet Shabani i Dritës mori përgjegjësinë duke konvertuar.

Penaltinë e parafundit të Vëllaznimit e ekzekutoi Lorik Rudi, i cili me panenka në mënyrë fenomenale shënoi për përparësinë tjetër të madhe të mysafirëve nga Gjakova. Endrit Krasniqi realizoi penaltinë e parafundit të Dritës. Megjithatë, gjysmëfinalen për Vëllaznimin e pati rastin ta sigurojë Burim Qorri, por Leutrim Rexhepi me një intervenim bravoroz në penaltinë vendimtare arriti që të bëjë një intervenim duke mbajtur Dritën në lojë.

Rrethin e parë me nga pesë gjuajtje e kompletoi Leci duke hyrë mbyllur kështu rrethin e parë të pesë penaltive me nga një gjuajtje te huqur.

Bajrami shënoi në penaltinë pasuese për Vëllaznimin, ndërkaq Musaj sërish mbajti në lojë Dritën duke çuar në rrethin e shtatë penaltitë pranë rezultatit 5-5.

Egzon Gashi realizoi për 6-5 për Vëllaznimin, kurse Limani i Dritës e huqi penaltinë duke qëlluar transferzalen dhe kështu gjakovarët sigurojnë në mënyrë të pabesueshme gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës.

Dy ndeshjet tjera, Gjilani – Vushtrria dhe Llapi – Prishtina zhvillohen të mërkurën.

(Kosova Sot)