Canelo Álvarez, në ring pavarësisht se del pozitiv me doping - Sport - Kosova Sot
Canelo Álvarez, në ring pavarësisht se del pozitiv me doping

Canelo Álvarez, në ring pavarësisht se del pozitiv me doping

Canelo Álvarez ka marrë në mënyrë të pabesueshme mbështetjen e dy institucioneve të rëndësishme të boksit, për t’u ndeshur sërish me Gennady Golovkin, pavarësisht se rezultoi pozitiv në një test antidoping.

Meksikani u zbulua se kishte në gjakun e tij substancën e ndaluar “clenbuterol”, por “djaloshi i artë”, siç është pagëzuar nga mediet, do të ketë mundësinë e revanshit pavarësisht kësaj.

“Ne do të ndjekim të njëjtën linjë që kemi aplikuar me boksierët e tjerë, që kanë rezultuar pozitiv me clenbuterol. Do të ndjekim protokollin dhe do të punojmë me komisionet e boksit, që të zbardhim këtë çështje. Por, me sa dimë për clenbuterolin dhe nga sa duket niveli i tij në teste, gjithçka lë të kuptohet se ka ardhur nga konsumimi i një ushqimi të pakontrolluar gabimisht”, tha Mauricio Sulaiman, president i WBC-së.

Sipas tij, Canelo Álvarez ka një “CV” të pastër për sa u përket substancave të ndaluara, e nuk mund të penalizohet për këtë test. Në të njëjtën linjë ishte edhe Federata e Boksit për kategorinë WBA.

“Clenbuterol”-i përdoret shpesh për të pasuruar ushqimin e kafshëve në Kinë dhe në Meksikë, për të rritur vëllimin. Futbollistët e Kombëtares meksikane në vitin 2011, në Kupën CONCACAF, u shfajësuan nga testi pozitiv, pasi u vërtetua se ishin helmuar nga ky lloj mishi.

(Kosova Sot)

12 orë e 6 minuta më parë
20/06/18