Dr.Muhamet Malo, ecim në rrugën tuaj…!

  • 07 March 2018 - 16:33
Dr.Muhamet Malo, ecim në rrugën tuaj…!

“Familja ime nuk mbaron te fëmijët e mi”. Kjo shprehje personifikon shpirtin, zemrën, jetën, dëshirat, lumturinë dhe gëzimin e një njeriu, që ndoshta nuk do t’i vijë më kurrë Shqipërisë. Ai ishte Muhamet Malo, fisniku, që padrejtësisht u largua para kohe nga kjo jetë, më 7 mars 2017! Koha ecën shpejt, kanë kaluar jo pak, por 365 ditë, një vit pa njeriun e madh, që me vizionin dhe humanizmin e tij bëri të lumtur jo vetëm familjen, bashkëshorten Mirandën, djemtë Enklajdin dhe Hauardin, vajzat Migenën dhe Perlën, por mijëra familje shqiptare, jetimë, njerëz të njohur dhe të panjohur, sepse kishte lindur për të qenë humanist, bamirës, patriot, kampion në sport e në jetë, njeri i vlerave unike, që gjenden vetëm te njerëzit e përsosur.

Muhamet Malo lindi më 13 maj 1957, me origjinë kolonjare. Një ish-sportist i njohur, mundës në radhët e Partizanit, me shumë gara të fituara. Nga viti 1982 deri më 1990 ishte kampion i Shqipërisë në mundjen klasike për peshën 82 kg deri në 90 kg. Ai ka qenë President i Federatës Shqiptare të Mundjes nga viti 1992 deri më 1996. Që nga viti 2005, Malo ka mbajtur postin e Presidentit të Shoqatës Kombëtare të Mundjes. Në vitin 2008 u emërua si President Nderi i Federatës Shqiptare të Mundjes. Muhamet Malo ishte humanisti më i madh që ka pasur ndonjëherë vendi ynë dhe pikërisht për këtë është nderuar me tituj nderi dhe vlerësimi të shumtë, mes të cilëve edhe “Doctor Honoris Causa”. Ai ngriti biznese unikale në Shqipëri. Ishte i pari që hapi një kompani bastesh sportive, më vonë u hapën shumë të tjera, por kurrë nuk u ngritën në lartësinë e “Eurollotos”, një kompani që tashmë operon edhe jashtë vendit, në rajon, ku janë të punësuar mijëra vetë.

Muhamet Malo ishte i pari që ngriti një televizion tërësisht dedikuar sportit, ku për herë të parë të gjithë shqiptarët ndiqnin “live” evenimentet europiane dhe ato ndërkombëtare, duke përfshirë ligat kryesore europiane të futbollit, por edhe NBA, tenis, çiklizëm e shumë e shumë sporte të tjerë. Kujtojmë emisionin e famshëm “Ethet e së premtes mbrëma”, ku falë humanizmit të Muhamet Malos shumë këngëtarë të rinj filluan të ngrinin ëndrrat e tyre dhe jo pak i realizuan. Por, nuk mbaron këtu, Muhamet Malo ishte i vetmi që ka ndërtuar një teleferik në Shqipëri, i gjithi me investimin e tij, teksa afroi qytetin e Tiranës me malin e Dajtit, ku mijëra e mijëra vizitorë kanë mundësi të shijojnë gjatë gjithë vitit pamjet nga lart të kryeqytetit tone, apo të t’i gëzohen dëborës që bie. Muhamet Malo guxoi i pari të ishte aksioner në të parën bankë me kapital të gjithin shqiptar. Të qënit kampion në sportin burrëror të mundjes, që i dha shumë rezultate, e bëri të renditej në plejadën e “Nderit të Mundjes Shqiptare”, një nga çmimet që e kishte më shumë për zemër. Por më shumë se kaq, sporti e bëri guximtar në botën e biznesit, pasi Muhamet Malo nuk ishte mësuar të tërhiqej, edhe kur ndonjëherë kishte rënë në tapet. Është ringritur më i fortë dhe, duke qenë i drejtë, Zoti ia shpërbleu mirësinë.

Donacionet e tij ishin të pafundme, pa harruar që Muhamet Malo u kujdes personalisht për sjelljen e familjes mbretërore në Shqipëri. Ai nuk kërkoi merita, nuk donte medalje, pavarësisht se ato natyrshëm i erdhën vetë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i akordoi titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të dhënë në promovimin e bukurive natyrore shqiptare, nëpërmjet një investimi të denjë si ai i teleferikut “Dajti Ekspres”, duke ofruar një shërbim cilësor për shqiptarët dhe të huajt që vizitojnë Tiranën, si dhe për mbështetjen e financimin e shumë veprimtarive sportive dhe kulturore, kombëtare e ndërkombëtare”. Ndërkohë, vetëm pak javë pas vdekjes, Presidenti Bujar Nishani do t’i akordonte edhe titullin e lartë “Nder i Kombit”. Urdhri “Nderi i Kombit” nuk është i pari dhe as i vetmi për Dr.Muhamet Malon, pasi ai mban gjithë ato dekorata, tituj, çmime, çertifikata. Presidenti i SHBA, Barack Obama, e ka nderuar me “Çmimin e Presidentit për Arritjet e Jetës” (2016), me motivacionin: “Për angazhimin e tij gjatë gjithë jetës në ndërtimin e një kombi më të forte, nëpërmjet shërbimit vullnetar…”

Dr.Muhamet Malo është vlerësuar edhe me medalje presidenciale “Për Merita të vecanta civile”. Nga organizata e organizma ndërkombëtare është nderuar me titullin “Ambasador i Paqes”, “Lidershipi më i mirë në biznez” etj. Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike e nderoi në 60-vjetorin e lindjes me çmimin e madh “Konica” (pas vdekjes), një çmim me të cilin janë vlerësuar edhe Presidenti Amerikan, Bill Klinton, Kryeministri Britanik, Tony Blair, Presidenti i Kosovës, dr.Ibrahim Rugova e të tjera personalitete të larta. Dr.Muhamet Malo edhe tani është President Nderi i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS). Ai është vlerësuar me çmimin “Pjetër Bogdani” nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës; me çmimin “Konstandini i Madh” nga Akademia Monarkiste Shqiptare, etj. Ka marrë edhe disa medalje e çertifikata, si “Përfaqësues dinjitoz i biznesit shqiptar për kontributin e shquar në ndihmë të njerëzve në nevojë”, Mirënjohje nga Federata Europiane e Peshëngritjes; Mirënjohje për ndjeshmëri të thellë ndaj personave të verbër; Mirënjohje nga Lidhja e Pensionistëve të Shqipërisë, Mirënjohje nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Mirënjohje nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar etj. Dr.Muhamet Malos i shkojnë për shtat të gjitha vlerësimet ndaj figurës e veprimtarisë së tij, si “Njeri i Mirë”, “Burrë i lartë”, “Misionar i shquar”, “Filantropist”, “Biznesmen i madh, atdhetar e humanist i madh” etj, si dhe ato më të fundit, kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë e cilësoi “një hero modern…” dhe e vlerësoi me urdhrin “Nderi i Kombit”.

Janë të shumta vlerësimet dhe nderimet për Muhamet Malon, ndonëse është e pamundur që të gjitha këto të shprehin mirënjohjen e çdokujt, që ka ndjerë bujarinë dhe bamirësinë e një njeriu si ai. Sot, një vit më pas, është e vështirë të mësohemi pa Metin, apo Shefin, siç të gjithë ishin mësuar ta thërrisnin me modesti dhe thjeshtësi, në fakt, ashtu siç ishte. Fjalët e tij të pakta, por me peshë të madhe, na mungojnë në ditët tona të punës e jetës. Na mungojnë pa dyshim takimet me të, këshillat e vyera, që kurrë nuk ishin të gabuara. Na mungon Meti! Sot e kemi të vështirë të kuptojmë se si ditët kanë ikur kaq shpejt, ndoshta ngaqë nuk jemi mësuar me ditët e zakonshme, sepse me praninë e tij ditët kanë qenë të jashtëzakonshme. Ato kishin tjetër ritëm, tjetër pasion, tjetër përkushtim dhe pa dyshim ato ishin ditët e “Kalendarit Muhamet Malo”. Ishin ditët që çdokush do donte t’i jetonte pranë jush, nën fisnikërinë tuaj, duke mësuar prej jush, duke punuar me ju, duke shkelur në gjurmët tuaja. Por sot ne ndihemi krenarë për ju. Familja juaj, fëmijët dhe bashkëshortja vijojnë misionin që nisët me përkushtim e sakrificë. Sot, “Eurolloto” rritet në hapësirën mbarëshqiptare, në trevat ku flitet gjuha shqipe e valëvitet flamuri kuqezi. “Eurolloto” sot modernizohet sipas vizionit tuaj, duke mbetur lider i padiskutueshëm në lojërat sportive në Shqipëri. “Telesport” ndjek ëndrrën tuaj, me të njëjtin përkushtim, pasion dhe dashuri, ashtu siç e donit.

“Telesport” është duke u rikthyer aty ku ju e donit. Sot e kemi më të lehtë ta bëjmë këtë, sepse ju na krijuat modelin dhe na treguat rrugën e suksesit. Teleferiku vijon çdo ditë gjithë krenari të ngjitet drejt kaltërsisë së qiellit, malit të Dajtit, aty ku ju realizuat një nga ëndërrat unikale. Gjithçka shkon përpara… Familja vijon me të njëjtin vizion e përkushtim të ndjekë idetë tuaja e të zhvillojë më tej projektet që nuk i përfunduat dot. Sot, sporti vijon të jetë në zemrën dhe shpirtin e familjes suaj, ashtu si vetë e donit. Mundja, peshëngritja, basketbolli, volejbolli, atletika, futbolli e çdo sport tjetër vijon të mbetet përfituesi kryesor i donacioneve të familjes “Malo”. Sot, jetimët janë pjesë e pandashme e familjes suaj. Ata ju janë mirënjohës dhe falënderues çdo ditë. Sot, personalitete, shkrimtarë, artistë, politikanë, biznesmenë, sportistë, njerëz të njohur e të panjohur, i përulen veprës suaj, asaj vepre që është e vështirë ta shpjegosh me fjalë. Sot, energjia që ju injektuat te familja dhe bashkëpuntorët më të afërt vijon të frymëzojë këdo që punon dhe bashkëpunon në bizneset dhe institucionet që vetë krijuat. Ecim me ritmin që ju donit, me përsosmërinë që ju kërkonit, me rregullin dhe vendosmërinë që ju impononit. Sot, si një familje e madhe, ndjekim rrugën që ju krijuat. Së bashku po krijojmë rrugë të reja, ashtu si ju do të ndërtonit. Faleminderit Muhamet Malo!

(Kosova Sot)