Emre Can: Jam lojtar i Liverpoolit, nuk kam nënshkruar me ndonjë klub

  • 07 March 2018 - 17:15
Emre Can: Jam lojtar i Liverpoolit, nuk kam nënshkruar me ndonjë klub

Emre Can mbetet në radarin e klubit italian të Juventusit, por mesfushori po këmbëngul se nuk ka marrëveshje paraprake me ndonjë klub.

Reprezentuesit gjerman do t’i mbaroj kontrata me Liverpoolin në fund të sezonit dhe pritet t’i bashkohet me bardhezinjtë si transfer i lirë gjatë afatit kalimtar të verës.

Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për një marrëveshje dhe se mesfushori nuk ishte në gjendje të diskutojë për të ardhmen pas ndeshjes së djeshme të Ligës së Kampionëve me Porton.

“Sigurisht që duhet të mendoj për të ardhmen time në futboll”, u tha gazetarëve gjermanë.

“Unë nuk kam nënshkruar për ndonjë klub, jam i përqendruar në paraqitjet e këtij sezoni. Ne duam të përfundojmë në vendin e dytë në Ligën Premier. Ne jemi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe duam të përparojmë. Aktualisht jam i përqendruar në takimet e Liverpoolit. Agjenti im ka bllokuar të gjitha negociatat, unë jam duke menduar vetëm për futbollin”, tha turko-gjermani.

Theksojmë se në shumë raste mediat kanë raportuar për arritjen e një marrëveshje mes agjentit të lojtarit dhe kampionit të Serie A.

Ndryshe, 24-vjeçari deri më tani është paraqitur 113 herë për anglezët dhe ka shënuar dhjetë gola.

(Kosova Sot)