Përforcimet e huaja TË JENË CILËSORE

  • 08 March 2018 - 08:56
Përforcimet e huaja TË JENË CILËSORE

FAZA VENDIMTARE E SUPERLIGËS PRITET TË SJELLË EDHE DISA LOJTARË TË HUAJ 

Amerikani i Trepçës luajti vetëm një ndeshje 

Kur kanë përfunduar garat e Kupës, Superliga e Kosovës në basketboll po hyn në fazën vendimtare, ku do të përcaktohet se kush do të hyjë në "Play-off" dhe kush do të bjerë nga Liga. Skuadrat pritet të marrin lojtarë të huaj, megjithatë, ishbasketbollisti i njohur, Valentin Spaqi thotë se përforcimet duhet të jenë cilësore ose të mos marrin fare

Klubet e basketbollit në Kosovë janë të njohura për angazhimin e madh të lojtarëve të huaj. Shumë lojtarë kanë ardhur në Kosovë, duke luajtur për vetëm një edicion, gjysmë edicioni, një ndeshje, disa minuta apo duke mos u aktivizuar fare. Kjo ka bërë që shumë basketbollistë të vijnë dhe të shkojnë pa lënë gjurmë. Në këtë edicion kishte më pak lojtarë të huaj, por kjo për shkak se klubet ishin në krizë financiare dhe jo se nuk deshën lojtarë të huaj. Së fundi Sigal Prishtina fitoi Kupën me lojtarë vendorë, derisa mund të përforcohet për fazën vendimtare, ku do të vendoset për titullin e kampionit.

Lojtarë të dëshmuar

Lojtari i fundit i regjistruar në Federatën e Basketbollit të Kosovës është Jonathan Hudson, i cili u aktivizua te Trepça. Megjithatë, ai ka luajtur vetëm në ndeshjen çerekfinale të Kupës ndaj Bashkimit, duke u larguar. Ndërkohë, ai në këtë ndeshje shënoi 35 pikë. Ish-basketbollisti i njohur, Valentin Spaqi thotë se përforcimet e huaja duhet të jenë cilësore. "Unë mendoj se përforcimet që duhet bërë, duhet të jenë përforcime të denja, sepse me vite kemi parë se vetëm kanë marrë lojtarë të huaj dhe aty ka përfunduar puna. Duhet të jenë lojtarë nga ndonjë ligë që ka luajtur vazhdimisht dhe lojtarë që janë të dëshmuar, në të kundërtën, klubet nuk kanë nevojë të përforcohen me lojtarë, sa për numër", është shprehur Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Ky edicion, edhe pse është vlerësuar si më i dobëti pas luftës nga analistë të ndryshëm, pritet të jetë mjaft interesant në "Play-off", ku në finale pritet një përballjet ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bashkimit. Këto dy ekipe janë ndeshur edhe në finale të Kupës, ku bardhekaltrit shënuan fitore me rezultat 77:74, në një takim që ishte dramatik deri në fund. Bashkimin nuk arritën ta ndihmojnë as përforcimet e huaja. 

Vijnë e shkojnë pa lënë gjurmë

Sigal Prishtina, Kerasan Prishtina dhe Peja janë skuadrat që po paraqiten në Superligë, vetëm me vendorë. Derisa bardhekaltrit synojnë titullin pas Kupës, Kerasani dhe Peja shpresojnë të mbijetojnë në elitë. Skuadra pejane është përballur me një krizë të thellë, duke luajtur gjatë gjithë kampionatit pa asnjë përforcim, madje, edhe shumë lojtarë vendorë i janë larguar për shkak të krizës financiare. Spaqi thekson se lojtarët duhet t'i zgjedhin profesionistët e jo të fushave të tjera. "Sigal Prishtina deri më tani ka bërë zgjedhje të duhura. Të tjerët kanë eksperimentuar me lojtarë të huaj, sepse janë nisur nga çmimi për të cilin vjen ai. Prandaj është shndërruar në një cirk të vërtetë me lloj-lloj lojtari që sjellin individë që nuk janë të basketbollit, por vijnë nga fusha të tjera. Për këtë arsye ka pasur shumë lojtarë të huaj në basketbollin e Kosovës, ku shumë prej tyre janë larguar pa lënë gjurmë", ka thënë Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Për titull pritet të luftojnë Prishtina dhe Bashkimi, derisa Ylli, Rahoveci e Trepça për dy vendet e tjera të "Play-off"-it, kurse mjaft interesant është edhe gara për mbijetesë mes Pejës, Boreas dhe Kerasan Prishtinës, tri skuadra që kanë vetëm një pikë dallim.

Lojtari i fundit i regjistruar në Federatën e Basketbollit të Kosovës është Jonathan Hudson, i cili u aktivizua te Trepça. Megjithatë, ai ka luajtur vetëm në ndeshjen çerekfinale të Kupës ndaj Bashkimit, duke u larguar

(Kosova Sot)