Strasbourg pret Monaco, miqtë nuk humbasin prej 3 muajsh

  • 08 March 2018 - 18:12
Strasbourg pret Monaco, miqtë nuk humbasin prej 3 muajsh

Futbolli francez do të kthehet të premten në mbrëmje me javën e 29-të, që do të hapet me ndeshjen Strasbourg-Monaco. Vendasit kanë shkaktuar disa surpriza në këtë sezon, siç ka qenë fitorja kundër PSG-së, por kanë arritur të marrin vetëm një fitore në 5 ndeshjet e fundit.

Kjo situatë nuk pritet të përmirësohet sot, kur kampionët në fuqi të Francës dhe skuadra që mban vendin e dytë në Ligue 1 do të zbresë në fushën e tyre. Strasbourg ka marrë 7 pikë nga 15 të fundit që ka pasur në dispozicion në ndeshjet e luajtura në shtëpi.

Monaco ka një diferenca prej katër pikësh me vendin e katërt dhe do të kërkojë ta thellojë ose ta mbajë të paprekur këtë diferencë. Bardhekuqtë nuk humbasin një ndeshje të kampionatit prej 3 muajsh dhe kanë ecurinë e katërt më të mirë të kampionatit në ndeshjet e luajtura në transfertë.

Humbja e tyre e fundit larg shtëpisë ka qenë në nëntor. Gjithsesi, ata kanë barazuar 3 nga 4 transfertat e fundit. Për sa i takon përballjeve direkte, Monaco ka fituar 3 ndeshjet e fundit të kampionatit me rezultatin e përgjithshëm 8-0.

(Kosova Sot)