Zbehet Gjilani, atmosfera nën nivel

  • 09 March 2018 - 08:45
Zbehet Gjilani, atmosfera nën nivel

ELIMINIMI NGA KUPA KA SHKAKTUAR SHUMË PAKËNAQËSI NË SKUADRËN GJILANASE

Shpresat te kampionati ende nuk janë shuar

"Eliminimi nga Kupa dhemb shumë, sepse në garën e Kupës kishim pasur më shumë shanse për të fituar diçka. Atmosfera në ekip normal nuk mund të jetë në nivel kur eliminohesh nga një garë për trofe, në të cilin i kanë qenë shpresat më të mëdha, mirëpo ne duhet të gjejmë forcë të rikthehemi", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Armend Thaqi

Ka mjaftuar eliminimi në çerekfinale të Kupës së Kosovës, që njëra nga skuadrat deri tash më e organizuar në vend, Gjilani të zbehet maksimalisht dhe atmosfera aty të nisë të prishët. Janë tifozët "Skifterët" ata që nuk e duan më trajnerin Arbnor Morina, sipas të cilëve ai është fajtori kryesor për eliminimin nga kupa. Në anën tjetër edhe Morina e ka ndier dëshpërimin dhe e ka marrë mbi vete përgjegjësin për atë eliminim, duke ofruar edhe dorëheqje, por ishin drejtuesit e klubit ata që nuk e pranuan atë. Por çfarë ndikimi do të ketë në vazhdim gjithë kjo zhurmë dhe si do të arrijnë ta përballojnë lojtarët këtë gjendje, mbetet të shihet në fundjavë kur kjo skuadër përballet me Vllazninë. Njëri nga futbollistët kryesor të Gjilanit, Armend Thaqi, ka premtuar se ata do të japin maksimumin në çdo ndeshje, edhe pse e pranon se eliminimi nga kupa eka zbehur shumë motivin dhe atmosferën në klub.

Thaqi: Kupa ishte synimi kryesor

Ish-futbollisti i Prishtinës dhe njëherësh futbollisti i vetëm nga Superliga që është pjesë e përfaqë- sueses së Kosovës, Armend Thaqi, e ka konfirmuar për gazetën "Kosova Sot" se synimi parësor i Gjilanit ishte trofeu i Kupës, pasi sipas tij aty i kishin shanset më të mëdha dhe natyrisht ky eliminim i ka dëshpëruar të gjithë. Gjilani e nisi shumë mirë edicionin pranveror, duke i shënuar tri fitore radhazi, fillimisht për Kupë eliminoi Ballkanin, për t'i radhitur pastaj dy fitore në kampionat me Flamurtarin dhe Lirinë, por ja që në dy javët e fundit ajo pësoi dy humbje që dukshëm ia kanë zbehur synimet. Gjilani në fundjavë u mposht nga Drenica ndeshje kjo që zgjoi shumë tension, derisa në mesjavë u eliminua edhe nga Kupa kur u mposht nga Vushtrria skuadër kjo e kategorisë së dytë. "Është e vërtetë që e filluam shumë mirë, por nuk vazhduam ashtu edhe në dy ndeshjet e fundit. Eliminimi nga Kupa dhemb më shumë sesa disfata e fundit në kampionat, sepse në garën e Kupës kishim pasur më shumë shanse për të fituar diçka. Atmosfera në ekip, normal nuk mund të jetë në nivel kur eliminohesh nga një garë për trofe në të cilin kanë qenë shpresat më të mëdha, mirëpo ne duhet të gjejmë forcë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" mbrojtësi i Gjilanit, Armend Thaqi.

Nuk dorëzohen

Edhe pse disfata nga Vushtrria ishte shumë e dhimbshme dhe demoralizuese, futbollistët e skuadrës nga Anamorava premtojnë se do të gjejnë formulën që të rikthehen fuqishëm në garat kampionale, ani pse e pranojnë se tash do ta kenë më të vështirë. "Duhet të gjejmë mënyra për ta kthyer motivin në maksimum dhe të kërkojmë t'u kthehemi fitoreve", ka thënë Thaqi për gazetën "Kosova Sot", i cili e pranon se atmosfera paksa është zbehur, por nuk dorëzohen. "Kur thash më herët se atmosfera nuk është në nivel pas asaj humbjeje, kjo nuk nënkupton që jemi dorëzuar. Ne për asnjë moment nuk dorëzohemi. Gjithsesi e pranojmë se tash e kemi parasysh se jo gjithçka varet nga ne, pasi jemi paska mbrapa me pikë dhe duhet të shpresojmë në gabimet e kundërshtarëve tanë në mënyrë që ne të ecim përpara. Unë premtoj se do të japim maksimumin në fushë dhe pa marrë parasysh pozitë në çdo ndeshje do të kërkojmë fitore", ka përfunduar Armend Thaqi