Kategorizimi tregon MERITAT E SECILIT

  • 09 March 2018 - 08:48
Kategorizimi tregon MERITAT E SECILIT

SPORTISTËT DO TË VLERËSOHEN NË BAZË TË TË ARRITURAVE NË ARENËN NDËRKOMBËTARE 

Shumë i rëndësishëm për sportin e Kosovës 

"Gjërat i vuri në udhë të duhur së fundi edhe kategorizimi i sporteve, i sportistëve dhe i trajnerëve, të cilët më në fund e shohin veten në një shkallë të nderuar kujdesi nga ana e shtetit", është shprehur Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot" 

Kategorizimi i sporteve, sportistëve dhe trajnerëve më në fund ka përfunduar pas një kohe të gjatë. Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) që ka bërë vlerësimin, ka theksuar se është punë e madhe, derisa kjo po ndodh për herë të parë. Kjo vlerësohet jashtëzakonisht pozitive për sportin e Kosovës dhe një hap i madh. Kështu ka vlerësuar edhe gazetari shumëvjeçar dhe trajneri i volejbollit, Xhavit Kajtazi. "Viti 2018 përfundimisht e gjen sportin e Kosovës me Kushtetutën e vet; pra me Ligjin, me aktet nënligjore dhe me rregulloret përcjellëse. Thënë më saktë: është kompletuar fusha normative, e cila i ka munguar sportit të Kosovës. Madje, edhe pse me Ligj të miratuar, zbatimi ka qenë i pamundur për shkaqe për mua të panjohura! Vetë miratimi dhe jetësimi i Ligjit për sport të Kosovës dëshmoi se sa prodhuese mund të jetë kjo fushë dhe çfarë të mirash sjell për sportistë dhe për Kosovën. Por, edhe çfarë nami i sollën sportistët tanë Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Shembulli i Majlinda Kelmendit, dëshmoi se çfarë fitoi Kosova. Pas medaljes së artë në Lojërat Olimpike Verore në Brazil në vitin 2016, pas shumë titujve dhe medaljeve në Kampionatet Botërore e Evropiane, u pa qartë se të investosh në sport, fiton Kosova, gjë që edhe ndodhi. Kosova, pa Majlindën dhe shoqet e shokët e saj nuk do ta kishte peshën që e gëzoi pas sukseseve të një- pasnjëshme gjatë një periudhe relativisht të shkurtër të veprimit, por pas një pune të madhe përgjatë këtyre 20 vjetëve", ka thënë Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot". 

Model nga Kroacia

Kjo është hera e parë që është bërë kategorizimi në Kosovë. "Gjërat i vuri në udhë të duhur së fundi edhe kategorizimi i sporteve, i sportistëve dhe i trajnerëve, të cilët më në fund e shohin veten në një shkallë të nderuar kujdesi nga ana e shtetit. Pra, aty ku shihet dora e shtetit të Kosovës, shto punën që është bërë dhe rezultatet që janë arritur, nuk ka se si të mos arrihen edhe rezultatet, të fitohen edhe shumë tituj emedalje në arenë ndërkombëtare. I tërë ky sukses, mobilizoi të gjitha strukturat shtetërore, sidomos ministrinë e sportit, Komitetin Olimpik, federatat e sportit, klubet dhe sportistët, që të mobilizohen dhe organizohen në përputhje me Ligjin, fal kësaj dhe punës që është bërë edhe të kategorizohen si kudo në botën e qytetëruar. Sipas mendimit tim kategorizimi i bërë për herë të parë, është jashtëzakonisht objektiv, edhe pse tektuk ka mundur të ishte paksa më i plotësuar, gjë që është e natyrshme, kur gjërat ndodhin për herë të parë. Pash që model ishte marrë kryesisht kategorizimi i bërë në Kroaci. Komisioni ka bërë një punë të mrekullueshme, që duhet të na gëzojë gjithë komunitetin sportiv dhe jo vetëm. Debatet rreth kësaj fushe, madje edhe deklarimet e zyrtarëve, kanë dhënë të kuptohet se pavarësisht kategorizimit të miratuar (që po bëhet për herë të parë në historinë e sportit të Kosovës), në të ardhmen do të jetë më lehtë për të plotësuar lëshimet e mundshme. Edhe unë mendoj se në të ardhmen do të jetë më lehtë. E rëndësishme ka qenë të hapet udha. Plotësimet, ndreqjet, janë më të lehta", ka thënë tutje trajneri i njohur i volejbollit, duke shtuar: "Xhudoja, karateja, futbolli basketbolli, hendbolli dhe volejbolli, pash se i takojnë grupit A, pra të sporteve parësore, që po besoj se është përzgjedhje reale. Pash që për pak pikë prapa kishte ngelur atletika. Sipas mendimit tim, Kosovës ky sport do t'i sjellë suksese e medalje të shumta nga arena ndërkombëtare. Sukseset e fundit, janë dëshmi se kemi potencial për të bërë befasi, gjë që edhe unë pres që atletët tanë, me përmirësimin e kushteve dhe me infrastrukturën e duhur, do të na bëjnë të lumtur me rezultatet e arritura. Me kushtet që i ka atletika e Kosovës, pothuajse pa asnjë shteg, ka bërë shumë përpjekje që të del nga anonimiteti dhe t'i shpëtojë harresës. Sportistët prore flasin me gjuhën e rezultateve. Kjo ua sjell edhe vendin e merituar në emëroren e kategorizimit të tyre. Kështu është bërë edhe me sportistët tanë, të cilët atë që e mbollën, pritet ta korrin gjatë jetës së tyre sportive", ka theksuar tutje Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot".

Kategorizimi më fleksibil

Trajneri i njohur ka shtuar se kategorizimi do të jetë më fleksibil. "Për mua do të ishte e rëndësishme që kategorizimi i sportistëve t'i shtrohej një hulumtimi të saktë për të përcaktuar se cili nga ata, në cilin sport dhe në çfarë gare ndërkombëtare ka shënuar rezultatin e caktuar. Të mos na ndodhë që të quhet Kampionat Botëror gjithçka që organizohet për çdo vit, ndërkohë që e vërteta është se botërorët dhe evropianët pothuajse në të gjitha sportet olimpike këto shfaqje kulmore i mbajnë çdo katër vjet dhe jo për çdo vjet! Kategorizimi, sipas meje ka mundësi që të ketë shtrirje më të gjerë. Pra, të jetë më fleksibil. E them këtë për faktin se më së shumti "pësojnë goditje" sportet grupore dhe pjesëtarët e tyre. Ka shumë futbollistë, basketbollistë, hendbollistë dhe volejbollistë që e meritojnë të jenë në emëroren e kategorizimeve të nivelit kulmor, pavarësisht se nuk kanë tituj apo medalje në arenën ndërkombëtare, ndërkohë që bëjnë karrierë me shumë rezultate në klubet ku luajnë. Besoj se në këtë pikëpamje do të bëhen trajtime dhe analiza për të gjetur një mes të artë që stimulon edhe sportistët e tjerë, sidomos në sportet grupore. Edhe për trajnerët pothuajse mund të ndiqet i njëjti parim. Ka në mesin e tyre që kanë bërë dhe bëjnë punë të mrekullueshme, pavarësisht se rezultatet në rrafshin ndërkombëtar lënë për të dëshiruar. Ka emra që e meritojnë kujdesin e shtetit, sepse nga duart e tyre kanë dalur dhe vazhdojnë të shpërthejnë një numër i madhe i talenteve të sporteve grupore", përfundoi Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)