Bakaj prezantohet te Shakhtyor Soligorsk

  • 09 March 2018 - 15:50
Bakaj prezantohet te Shakhtyor Soligorsk

Nga takimi i përzemërt me ish-shokët e ekipit dhe stafin teknik te Kukësi, te udhëtimi në Bjellorusi. Elis Bakaj u prezantua si lojtar i ri i Shakhtyor Soligorsk, duke pozuar edhe me uniformën e skuadrës së re.

Foto u realizua me fanellën, me të cilën skuadra do të luajë gjatë vitit 2018, edhe sepse koeçidenca bëri që sulmuesi shqiptar të paraqitej në klub pikërisht në ditën e prezantimit të uniformave të reja të lojës.

Fanella e parë është e verdha me bordura të zeza vertikale, të cilat përbëhen nga emri i klubit i shkruar në tre gjuhë: bjelloruse, ruse dhe angleze. Ndërkohë, uniforma e lojës në trasfertë është e zezë me bordura të verdha.

Elis Bakaj u largua nga Kukësi, në një periudhë të cilën edhe vetë lojtari e cilësoi të pazakontë për transferimet. Kjo edhe për faktin se kampionati në Bjellorusi nis më datë 30 Mars dhe merkato në këtë vend nuk kishte përfunduar ende, shkruan SS.

Sulmuesi firmosi kontratë një vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit me Shakhtyor Soligorskun, ndërsa nga transferimi i tij edhe Kukësi përfitoi rreth 100 mijë euro për kartonin, shifër që i bindi drejtuesit e klubit të hiqnin dorë nga golashënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore deri në këto momente me 12 gola të realizuar. 

(Kosova Sot)