Përfundon seria pa humbje e Federerit, Del Potro e mposht në finalen e Indian Wells

  • 19 March 2018 - 13:21
Përfundon seria pa humbje e Federerit, Del Potro e mposht në finalen e Indian Wells

Juan Martin del Potro i ka dhënë fund serisë pa humbje të tenistit numër një në botë, Roger Federer, duke e mposhtur në finalen e BNP Paribas Open në Indian Wells.

Tenisti argjentinas, i cili është i teti në rang-listën botërore, fitoi me rezultat 2-1 në sete (6-4, 6-7, 7-6) kundër tenistit zviceran.

Federer e kërkonte titullin e gjashtë rekord në Kaliforni, mirëpo Del Potro ia doli ta fitonte titullin e parë ‘ATP Masters 1000’.

29-vjeçari është bërë tenisti i parë, i cili e mposht Federerin në vitin 2018, meqë zvicerani kishte fituar në 17 përballjet e mëparshme.

Dueli ndërmjet dy tenistëve zgjati plot dy orë e 42 minuta, ndërsa ky është një sukses i rëndësishëm për Del Potron, i cili në vitet e fundit ka pasur probleme me lëndime dhe është operuar tri herë.

Në muajin mars, ai e fitoi titullin e parë ATP 500 në Acapulco dhe u kthye në dhjetë pozitat e para në ranglistën botërore.

“Është vështirë ta përshkruash me fjalë. Është si një ëndërr. Pas të gjitha problemeve të mia, pas të gjitha ndërhyrjeve kirurgjike, nuk mund të besoja se jam këtu duke fituar një Masters 1000 dhe duke e mposhtur Rogerin. Është mahnitëse”, ka thënë argjentinasi pas fitores.

(Kosova Sot)