Kjo Kosovë premton shumë

  • 21 March 2018 - 11:05
Kjo Kosovë premton shumë

Dy sfida shumë të rëndësishme për përzgjedhësin e ri të Kosovës

"Perspektiva e këtij ekipi është shumë e madhe, pasi ka lojtarë të nivelit evropian. Challandes ka vepruar shumë mirë që e ka ftuar posaçërisht Edon Zhegrovën, sepse është një lojtar me potencial të madh, që në të ardhmen mund të luajë në cilëndo skuadër të madhe. Unë them se jemi me fat që ky lojtar nuk na ka ikur dhe ka vendosur për Kosovën", ka thënë Bekim Shotani për gazetën "Kosova Sot"

Kosova më 24 dhe 27 mars do t'i ketë dy sfida miqë- sore, të cilat edhe pse në opinion nuk po cilësohen si shumë joshëse dhe nuk kanë ngjallur kërshëri, gjithsesi për Federatën e Futbollit, përkatësisht trajnerin e ri të Kosovës, Bernard Challandes, ato kanë shumë vlerë. Kosova do të ndeshet me dy kombëtare pak të njohura në futboll, si Madagaskar dhe Burkino Faso, ndeshje këto që do të zhvillohen larg opinionit kosovar, në Parisë të Francës, por e veçanta e tyre është se Kosova do të paraqitet me shumë risi. Berndar Challandes do ta nisë epokën e tij te Kosova me shpresë se do të arrijë të krijojë një ekip që mund të jetë rivalizues në kometicionet Evropiane dhe Botërore, derisa sipas njohësve hapat e parë që ka marrë tekniku zviceran janë pozitive. Ftesa për tre talente të mëdhenj si Edon Zhegrova, Idriz Voca e Gjelbrim Taipi do të thonë shumë për Kosovën në të ardhmen, të cilët nëse jo këtë herë, gjithsesi shkëlqimi i tyre do të ndodhë shumë shpejt. 

Shotani: Challandes, më lehtë sesa Bunjaki

Trajneri kosovar, Bekim Shotani, thotë se përzgjedhësi i ri i Kosovës, zvicerani Bernard Challandes, pritet të sjellë suksese te kombëtarja kosovare, por Shotani e pranon se ai e ka punën shumë më të lehtë sesa që e kishte Bunjaki. "Fillimisht dua të theksoj se trajneri i ri i Kosovës, Besart Challandes, ka bërë shumë mirë që ka sjell risi në grupin e lojtarëve, të cilët do të kenë rastin të dëshmojnë veten", ka thënë Bekim Shotani për gazetën "Kosova Sot", duke e komentuar pastaj edhe punën e përzgjedhësit të ri, Bernard Challandes, sipas të cilit ai tashmë e ka "rrugën e shtruar" dhe vetëm duhet të përcaktohet për objektivat. "Sigurisht që do të jetë një sfidë shumë e vështirë për trajnerin e ri, mirëpo them se gjithsesi se do ta ketë shumë më lehtë sesa ish-selektori Albert Bunjaki. Ne presim shumë punë nga ky trajner dhe besojmë në sukseset e tij", ka thënë Shotani.

Zhegrova e kompleton Kosovën

Sipas ish-trajneri të Vushtrrisë, Trepçës'89, Drenicës dhe aktualisht trajner i Ballkanit, Bekim Shotani, ardhja e Edon Zhegrovës te Kosova është një plus i madh, i cili do të ndihmojë shumë Kosovën në të ardhmen. "Perspektiva e këtij ekipi është shumë e madhe, pasi ka lojtarë të nivelit evropian. Them se ka vepruar shumë mirë që e ka ftuar posaçërisht Edon Zhegrovën, sepse është një lojtar me potencial të madh që në të ardhmen mund të luajë në cilëndo skuadër të madhe. Unë them se jemi me fat që ky lojtar nuk na ka ikur dhe ka vendosur për Kosovën. Pres shumë nga ai në të ardhmen", ka thënë bekim Shotani për gazetën "Kosova Sot". Të kujtojmë se përveç Zhegrovës emra të rinj këtë herë janë Idriz Voca dhe Gjelbirm Taipi, që luajnë në kampionatin zviceran, por që ka edhe mungesa, siç është ajo e Besar Halimit dhe Valon Berishës. Kosova më 24 mars do të ndeshet me Madagaskarin, ndërsa tri ditë më vonë luan me Burkina Fason.

(Kosova Sot)