Zbardhen manovrat në gjyqin e UEFA-s, ja si u mbrojt Skënderbeu

  • 22 March 2018 - 11:16
Zbardhen manovrat në gjyqin e UEFA-s, ja si u mbrojt Skënderbeu

Klubi i Skënderbeut ka zhvilluar dje se ancën e parë dëgjimore në Komisionin e Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës në UEFA. Nëpërmjet një komunikate, zyrtarët e klubit korçar kanë dhënë sinjale të forta se nuk presin ndonjë mrekulli nga vendimi që pritet të merret në këtë Komision dhe shpresat e mëdha mbeten në KAS ose në gjykatën federale të Zvicrës.

“Duke marrë në konsideratë natyrën e konfliktit, specifikën që paraqet gjykimi disiplinor në organet juridike të UEFA-s dhe veçanërisht, ekzistencën e një marrëdhënieje institucionale ndërmjet organit të akuzës dhe të gjykimit, Klubi i Futbollit Skënderbeu ka bindjen e plotë se strategjia e ndjekur nga bashkëpunëtorët tanë do të japë rezultate të kënaqshme në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Skënderbeut. Qartazi, sytë janë te KAS-i dhe jo tek Etika e UEFA-s.

PAK SHANSE NË UEFA… Ka shumë të ngjarë që vendimi i Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të merret sot ose në rastin më të keq, brenda datës 7 prill. Burime pranë klubit të Skënderbeut bëjnë me dije se vendimi mund të jetë i njëjtë me atë që kanë pretenduar dy inspektorët e kësaj strukture: 10 vite dënim dhe 1 milion euro gjobë për Skënderbeun.

Dy inspektorët që hartuan raportin, Migel Lietard Fernandez Palasios dhe Karl Dhont, kanë qenë të pranishëm dje në seancën dëgjimore dhe kanë mbrojtur raportin e hartuar, si dhe pretendimin që kanë për dënimin e Skënderbeut. Nga ana tjetër, edhe avokatët zviceranë të klubit korçar, por gjithashtu edhe presidenti Takaj, kanë dhënë argumentet e tyre gjatë seancës. E megjithatë, shpresat për një vendim të reduktuar janë të vakëta. Arsyeja është e thjeshtë: Komisioni i Etikës dhe Disiplinës nuk do të dalë kundër inspektorëve të vet, që e kanë hartuar këtë raport…

MBROJTJA E SKËNDERBEUT… Mësohet se drejtuesit e skuadrës korçare dhe avokatët për asnjë moment nuk kanë pranuar fajësi apo pjesëmarrje në manipulime rezultatesh. Takaj dhe avokatët zviceranë kanë pretenduar gjatë gjithë kohës se klubi kurrë nuk ka dirigjuar dhe nuk ka marrë pjesë në fiksime rezultatesh.

Ata kanë pasur pretendime edhe për provat që raportojnë inspektorët e Etikës, pasi sipas palës shqiptare nuk ka përgjime, rrëfime apo fakte të tjera bindëse. Drejtuesit e klubit korçarë pretendojnë se sistemi BFDS (monitorimi i basteve) nuk është një provë e pakundërshtueshme dhe nuk implikon me doemos një klub për fiksim ndeshjesh në mënyrë të organizuar. Zyrtarët korçarë mësohet të kenë argumentuar edhe pretendimin e tyre sa i përket lëvizjes së koeficienteve.

KAS ËSHTË SHPRESA E MADHE

Nëse lexon me kujdes deklaratën e Skënderbeut, vihet re qartë se shpresat e mëdha janë në KAS. Me të drejtë… sepse UEFA nuk do t’iu dalë kundër strukturave të veta. Por drejtuesit e Skënderbeut nuk e kanë humbur shpresën dhe studioja ligjore zvicerane që kanë kontraktuar, e specializuar në këtë fushë, ka dhënë garanci se procesi nuk ka qenë i rregullt dhe ka shanse të mira që të rrëzohet kjo gjë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë.

Deri tani nuk ka pasur asnjë klub të dënuar, duke iu referuar vetëm të dhënave që ka raportuar sistemi BFDS për lëvizjen e dyshimtë të koeficienteve gjatë një ndeshjeje. Pikërisht për këtë arsye, Skënderbeu po merr masa që ta rrëzojë besueshmërinë e këtij sistemi në KAS. Do të jetë e vështirë, por fundja shqiptarët e kanë mundur një herë UEFA-n në KAS për dronin e famshëm…

Image
Image

 

(Kosova Sot)