Iniesta e mendon tërheqjen edhe nga Spanja

  • 22 March 2018 - 15:07
Iniesta e mendon tërheqjen edhe nga Spanja

Përveç mundësisë së largimit nga Barcelona, ?Iniesta është duke e menduar pensionimin nga Kombëtarja e Spanjës.

Kapiteni i “La Roja”, Andres Iniesta, duket se këtë verë nuk do të lërë vetëm Barcelonën, por edhe përfaqësuesen spanjolle, transmeton Gazeta Express.

Mesfushori 33-vjeçar, që është vënë nën urdhrat e Julen Lopeteguit për ndeshjet miqësore që Spanja do t’i luajë me Gjermaninë e Argjentinën, e ka pranuar këtë mundësi gjatë një interviste të dhënë për programin “El Larguero”.

“Ka mundësi që Botërori i Rusisë të jetë kompeticioni im i fundit me përfaqësuesen spanjolle. Nuk dua të jem në Kombëtare sa për të thënë, nuk kam nevojë për këtë”, tha Iniesta.

Iniesta, heroi i formacionit “La Roja” në vitin 2010, kur me golin e tij i dhuroi trofeun e parë kombëtares iberike në Botërorin e Afrikës së Jugut, shpreson që ndeshja e tij e fundit më Spanjën të jetë pikërisht një tjetër finale e Kupës së Botës.

“Për Botërorin e Rusisë do të firmosja për një finale mes Spanjës e Argjentinës. Shpresoj që lamtumira ime nga ‘La Roja’ të jetë pas ndeshjes më të ëndërruar nga të gjithë, finalja e turneut. Shpresoj që ajo të jetë ndeshja ime e fundit me fanellën e Spanjës”, shtoi më tej Iniesta.

(Kosova Sot)