Superliga injorohet edhe nga zvicerani

  • 23 March 2018 - 09:49
Superliga injorohet edhe nga zvicerani

ANALISTËT NUK PAJTOHEN ME VENDIMIN E PËRZGJEDHËSIT TË RI TË KOSOVËS

Mosftesa për lojtarët e Superligës zhgënjen futbollistët vendorë 

"Nëse në ndeshje zyrtare nuk ftohen futbollistët vendorë, atëherë pse mos të ftohen në ndeshje kontrolluese! Niveli i përfaqësueseve që do të përballet Kosova në Francë nuk është i madh, prandaj do të duhej që përveç dy portierëve të ishin ftuar së paku edhe 2-3 futbollistë të tjerë të Vala Superligës", tha për gazetën "Kosova Sot" Genc Sermaxhaj

Të gjithë e pranojnë se niveli i futbollit kosovar është larg pritshmërive, por askush nuk beson se në Superligën e Kosovës nuk ka të paktën një futbollist që do të meritonte ta ketë ftesën e përzgjedhësit të ri, zviceranit Bernard Challandes, për dy ndeshjet miqësore që i zhvillon, fillimisht me Madagaskarin dhe pastaj me Burkina Fason. Në sfidën e fundit kur Kosova udhëhiqej nga Muharrem Sahiti, te Kosova ftesën e mori futbollisti i Gjilanit, Armend Thaqi, madje ai pati besimin e trajnerit për disa minuta në fushë në sfidën e fituar ndaj Finlandës. Menjëherë pas ndeshjes analistët e patën cilësuar si një performancë të mirë të Thaçit, duke besuar se ai edhe në të ardhmen do ta ketë ftesën e Kosovës, por ja që kjo nuk ndodhi dhe të vetmit që do ta përfaqësojnë Superligën e Kosovës në Kombëtare janë dy portierët Bledar Hajdini i Trepçës'89 dhe Faton Maloku i Feronikelit.

Sermaxhaj: Gaboi Challandes!

"Nëse në ndeshje zyrtare nuk ftohen futbollistët vendorë, atëherë pse mos të ftohen në ndeshje kontrolluese! Niveli i përfaqësueseve që do përballet Kosova në Francë, nuk është i madh, prandaj do të duhej që përveç dy portierëve, të ishin ftuar së paku edhe 2-3 futbollistë tjerë të Vala Superligës", ka thënë Genc Sermaxhaj për gazetën "Kosova Sot", duke e përmendur me theks të veçantë mbrojtësin e Gjilanit, Armend Thaçin, i cili gjatë afatit kalimtar të dimrit u kërkua me ngul nga disa klube elite të Shqipërisë. Pse të mos ftohet Armend Thaçi sërish, i cili për aq minuta sa luajti në ndeshjen e fundit pati paraqitje të mirë, gjithashtu edhe Endrit Krasniqi te Drita po tregon formë të mirë në këto ndeshjet që lamë pas në kampionatin tonë. Dikush është dashur t'i tregoj selektorit për cilësitë e këtyre futbollistëve nëse ai nuk ka pasur mundësi t'i shohë. Për këtë janë ndihmësit e tij", tha Sermaxhaj. 

Superliga nuk promovohet duke u injoruar

Sipas ish-futbollistit të njohur kosovar, kur në program janë ndeshje miqësore me kundërshtarë të nivelit jo shumë të lartë siç është në këtë rast Madagaskari dhe Burkina Faso është mirë t'u jepet një rast futbollistëve të kampionatit vendor për të cilët do të ishte një promovim shumë i mirë. "Në ndeshje të tilla janë mundësitë e mëdha që të provojë duke inkuadruar në ndeshje edhe futbollistët e Superligës, që atyre t'u shtohet dëshira për paraqitje edhe më të mira në të ardhmen e gjithashtu të marrin gradualisht përvojën që të përgatiten për të ardhmen", tha Sermaxhaj për gazetën "Kosova Sot". "Shumica e futbollistëve të ftuar, kanë qenë të ftuar edhe në ndeshjet zyrtare dhe e dimë se ç'farë paraqitje kanë pasur ata, prandaj në ligën tonë kemi futbollist që kanë aftësi të larta individuale dhe me teknikën që posedojnë ata shpejtë mund të komponohen me pjesën tjetër të futbollistëve të përfaqësueses. Pra, përfundimisht mendoj se përzgjedhësi është dashur gjithsesi t'i ftojë disa futbollistë të Superligës", ka përfunduar Genc Sermaxhaj. 

(Kosova Sot)