Siguri maksimale për vashat kosovare

  • 23 March 2018 - 09:54
Siguri maksimale për vashat kosovare

SOT PËRBALLJA NDAJ SERBISË 

Kosovën e pret një ndeshje e vështirë 

Vashat kosovare në hendboll të enjten udhëtuan në Serbi për ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Botëror. Siguria është maksimale për takimin që do të zhvillohet në afërsi të Beogradit, edhe pse ishte paraparë që të zhvillohej në Kragujevc. Ndeshja pritet të jetë e vështirë për Kosovën U-20

E kipit të Kosovës në hendboll për grupmoshat U20 për shkaqe sigurie i është ndërruar autobusi pak kilometra pasi kanë kaluar kufirin në Serbi. Dy pjesëtarë të forcave policore ishin në autobus, ndërsa udhëtimi drejt Beogradit është bërë nën përcjellje të policisë dhe gjatë rrugës ka pasur patrulla të shumta policore për sigurinë e vashave të Kosovës. Kosova është në grup me Serbinë, Norvegjinë dhe Sllovakinë. Turneu ishte paralajmëruar të mbahet në Kragujevc, por pas protestave të paralajmëruara për shkak të shkuarjes së Kosovës, është zhvendosur me qendrën e izoluar sportive "Kovilovo" që gjendet 12 kilometra larg Beogradit. Takimi do të zhvillohet nga ora 16:00. 

Përparimi i Kosovës

Ndërkohë, Kosova A, të mërkurën është mundur nga Bjellorusia në Prishtinë me rezultat 31:22 në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për "Euro 2018". Trajneri i Kosovës, Agron Shabani është shprehur i kënaqur me paraqitjen e vashave tona. "Kemi luajtur mirë dhe jam i kënaqur me paraqitjen që kishim. Nuk kemi nisur ndeshjen mirë, kemi humbur raste të mira, por jemi kthyer më pas. Dallimi më i madh ishte në përvojën e lojtareve. Ky është edhe një hap para për Kosovën", është shprehur përzgjedhësi i Kosovës. E lumtur është shprehur Leonora Demaj, njëra nga hendbollistet më të mira në këtë sidë. "Ka shumë lojtare të reja në ekip, unë kam ardhur pak ditë më parë dhe na duhet kohë për komponim më të mirë. Por, ka shumë përparime në lojën tonë. Rezultati për ne është shumë i vlefshëm, është si një fitore.

Jam e kënaqur me lojën dhe me rezultatin.

Ne po rritemi", theksoi ajo. Demaj ka realizuar nëntë gola dhe sërish ka qenë lidere, derisa tetë gola i shënoi Mirela Gjikokaj, që po bëhet shtyllë e ekipit. "Pjesa e parë ishte më e zbehtë, ndërsa në të dytën kemi luajtur shumë më mirë. Kemi guxuar më shumë, kemi depërtuar dhe kemi shënuar shumë gola. Ishim të barabarta me bjelloruset dhe në përgjithësi jemi të kënaqura", ka thënë Gjikokaj.

Nuk luan, por qëndron afër ekipit

Albana Arifi u ka qëndruar afër bashkëlojtareve, ndonëse i duhet të presë deri në verën e vitit të ardhshëm që të fitojë të drejtën të luajë për Kosovën, pas ndërrimit të përfaqësueses. Deri në verën e vitit 2016, ajo ka luajtur me plot sukses për Suedinë, për grupmoshat e reja. Këtë vit vendosi që të luajë për Kosovën dhe ishte prej më të dalluarave në grumbullim, edhe pse nuk kishte të drejtë të luajë për Kosovën. "Kam pasur emocione, kam qarë kur është intonuar himni i Kosovës. Pasi për shkak të lëndimit kam munguar gjatë, isha shumë e uritur për lojë. Por, pasi IHF-ja tha se duhet të pres, unë jam munduar që të ofroj përkrahje maksimale për lojtaret e tjera. Jam munduar të bëj zhurmë sa më shumë. Pjesa e parë nuk ishte e mirë, por e dyta ishte shumë e mirë. Lojtaret ishin të guximshme, kanë 'futur hundët' në sulm dhe kanë realizuar shpesh. Unë kam kaluar shumë mirë gjatë grumbullimit, ky grumbullim do të më ndihmojë shumë për të ardhmen", theksoi ajo. Ndërkohë, përzgjedhës i Bjellorusisë, Tomaz Cater ka krahasuar ndeshjen me atë të vitit 2016 dhe u habit për një gjë. "Kosova luajti shumë më mirë se dy vjet më parë. Shihet një disiplinë e madhe te Kosova, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Ne në momente kemi luajtur shumë mirë e në moment kishim lëshime. Po ashtu na kanë munguar pesë lojtare me rëndësi, për shkak të lëndimeve. Shihet që ekipi i Kosovës ka punuar shumë", u shpreh Cater. 

(Kosova Sot)