Prishtina, skuadra e vetme NË GARË PËR DY TROFETË

  • 20 April 2018 - 08:41
Prishtina, skuadra e vetme NË GARË PËR DY TROFETË

Atmosfera në kampin bardhekaltër ka nisur të relaksohet pas kalimit në finale

"Vetë fakti që jemi në finale të Kupës mund të cilësohet rezultat i mirë, por asgjë ende nuk ka përfunduar. Kemi pasur shumë ndeshje të vështira në këtë rrugëtim, kështu që duhet të themi se është sukses. Deri në finale kemi kohë edhe një muaj kështu që tash i gjithë fokusi ynë është te kampionati", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" futbollisti i Prishtinës, Lorik Maxhuni

Kalimi në finale të Kupës, atje ku e pret një skuadër që në opinion po cilësohet si rivalpaksa i lehtë - Vëllaznimi, ka bërë që Prishtina të ndihet paksa më e lehtë- suar dhe tash i gjithë fokusi të jetë në kampionat. Skuadra kryeqytetase është e vetmja që po lufton në dy trofetë, Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit, dhe tash pas kalimit në ffinale është shumë afër realizimit tënjërit mision, edhe pse për ta kompletuar atë i kanë mbetur edhe 90 minuta lojë. Kjo ka bërë që futbollistët në garat kampionale të ndihet më me pak në presion, pasi nëse nuk e prekin titullin, atëherë ngushëllimin mund ta gjejnë të Kupa. Kjo edhe është arsyeja që atmosfera në kampin bardhekaltër është jashtëzakonisht e mirë, edhe pse futbollistët dhe stafi teknik vazhdon të sillet natyrshëm duke vlerësuar se asgjë nuk ka përfunduar dhe se deri në arritjen e kompletimit të suksesit ka edhe shumë punë.

Suksesi kompletohet kur fitohet finalja

"Vet fakti që jemi në finale të Kupës mund të cilësohet rezultat i mirë, por asgjë ende nuk ka përfunduar. Kemi pasur shumë ndeshje të vështira në këtë rrugëtim kështu që duhet të themi se është sukses kalimi deri këtu, por synimi ynë kompletohet vetëm atëherë kur ta fitojmë Kupën", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", futbollisti i Prishtinës, Lorik Maxhuni, skuadra e të cilit të mërkurën, pas 120 minutash lojë përballë Vushtrrisë, arriti të kalojë në finale, e cila pritet të zhvillohet kah fundi i muajit të ardhshëm. "Tash jemi më të qetë pasi finalja luhet tek pas një muaji, kështu që ne mund të mendojmë vetëm për kampionat dhe sigurisht që kjo e lehtëson paksa punën, por assesi nuk na bën që të ndihemi komod. Pra, duhet të jemi maksimalisht të përqendruar në çdo ndeshje", ka thënë mbrojtësi prishtinas, i cili skuadrës bardhekaltër iu bashkua edicionin e kaluar nga skuadra e Flamurtarit të Vlorës.

Përqendrimi në kampionat

Është më se e kuptueshme që Prishtina sivjet e ka pasur shumë më vështirë sesa dy rivalët aktualë në luftë për titull, Drita e Llapi. Skuadra bardhekaltër, përveçqë ndeshjet si vendase i zhvillonte larg tifozëve prishtinas, pasi luante në Pejë, për shkak të rinovimit të stadiumit të Prishtinës, ajo është në gara në dy frontet, Kupën dhe titullin. Në anën tjetër, Drita e Llapi ka kohë që janë eliminuar nga këto gara dhe i gjithë fokusi ishte në kampionat. Tash, pas kalimit të Prishtinës në finale, gjërat sikur janë normalizuar, pasi për një muaj të tërë Prishtina nuk ka ndeshje në Kupë dhe ka mundësi të fokusohet vetëm në garat kampionale."E thashë më herët se deri në zhvillimin e finales ka kohë, kështu që tash mendojmë vetëm për kampionat, i cili këtë vit është shumë i vështirë, por ne deri në fund do të luftojmë të arrijmë qëllimin dhe të shpallemi kampionë. Lufta në dy fronte për Prishtinën ka qenë gjithmonë, por këtë vit themi kemi lojtarë mjaft dhe besoj që në fund do të arrijmë të stolisemi me këto dy trofe, të cilat tash e një kohë po i mungojnë Prishtinës", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" futbollisti bardhekaltër, Lorik Maxhuni. E. LLUMNICA

(Kosova Sot)