Befason Klopp: Pas Liverpoolit do të tërhiqem!

  • 20 April 2018 - 14:03
Befason Klopp: Pas Liverpoolit do të tërhiqem!

Akoma nuk e pranon, sepse është supersticioz, por Jurgen Klopp ka një ëndërr. Kërkon të fitojë atë Champions League që ka humbur kur drejtonte Borussia Dortmund, kur kishin mbetur edhe pak minuta nga fundi i finales së luajtur në 2013-ën. Përballë tij ishte Bayern Munich dhe Jupp Heynckes.

Në këtë sezon, pesë vite më pas, ai mund të hakmerret ndaj bavarezëve dhe ndaj Juppit. Klopp nxiton të fitojë, edhe pse ka filluar të mendojë që tani për tërheqjen: “Sigurisht, nuk do të jem trajner në moshën e Heynckes”, ka thënë trajneri i Liverpool. “E admiroj atë që po bën, por unë nuk do ta bëj”.

Klopp, nga ana tjetër, është një njeri me pasion, një udhëheqës, ka nevojë për energji fizike dhe mendore për të drejtuar një grup, madje një popull. Jo rastësisht ka punuar për Borussia Dortmund dhe Liverpool, dy nga tifozeritë më të zjarrta të Europës. Aty ndihet mirë:

“E kam marrë vendimin e tim. Mund të më kontaktojë çdo klub, por unë nuk do të jem trajner në atë moshë. Madje, nuk përjashtohet që të tërhiqem më herët nga sa kanë bërë trajnerët e tjerë. Kjo është një punë shumë intensive, nuk kam ndërmend të jem në stol në një moshë të caktuar”.

“Pas eksperiencës me Liverpool do të marr një vit pushim, është një premtim që i kam bërë familjes. Por nuk e përjashtoj mundësinë që të tërhiqem përfundimisht në atë pikë”.

Kur në Mynih kanë kuptuar se nuk do të arrinin ta mbanin Heynckes edhe për sezonin e ardhshëm, dikush ka menduar për të. Hoeness ka rrëfyer se bavarezët kanë menduar ta marrin që në 2008-ën, por më pas zgjodhën Jurgen Klinsmann:

“Zgjodhëm ‘Jurgen K’ e gabuar”. Nga ajo ditë, duke parë sukseset e arritura nga Klopp në drejtim të Dortmund, bavarezët janë penduar për zgjedhjen e bërë. “Por këtë herë nuk më ka kontaktuar asnjeri, – ka siguruar Klopp, raporton TS. "Pavarësisht nga fakti nëse doja të shkoja atje ose jo, kam katër vite të tjera kontratë me Liverpool”.

“Fakti që nuk më kanë kontaktuar është shumë i logjikshëm”. Edhe pse vetë Klopp ka pranuar se ëndërron kthimin në Dortmund: “Te Mainz dhe Borussia kam kaluar vite shumë të bukura, mund të kthehem një ditë, por nuk është e thënë që ta bëj si trajner”.

Mund të varet nga mënyra sesi do të përfundojë sezoni aktual. Sepse Klopp, edhe pse nuk e ka pranuar akoma, me Liverpool dhe Bayern në gjysmëfinalet e Champions League, ëndërron hakmarrjen e dyfishtë: ndaj bavarezëve dhe ndaj Heynckes.

(Kosova Sot)