Pensionohet ish-ylli i Interit dhe Brazilit

  • 22 April 2018 - 10:14
Pensionohet ish-ylli i Interit dhe Brazilit

Ish-portieri i Interit dhe Brazilit, Julio Cesar, është pensionuar nga futbolli në moshën 38-vjeçare.

Cesar ishte titullar në fitoren 2-0 të Flamengos kundër America Mineiro të shtunën mbrëma në atë që ishte ndeshja e tij e fundit si profesionist, pasi kishte nënshkruar kontratë afatshkurtër me klubin të cilin para më shumë se një dekade e kishte braktisur për Evropën.

Portieri brazilian është më së miri i njohur për kohën e kaluar te Interi në Serie A, për të cilin u paraqit në mbi 200 ndeshje gjatë shtatë viteve qëndrimi në klub, dhe si portier i ekipit kombëtar të Brazilit.

Me Interin ai i fitoi pesë tituj kampioni në Serie A dhe tri trofe të Kupës së Italisë.

Po ashtu, ai e fitoi edhe Ligën e Kampionëve nën udhëheqjen e Jose Mourinhos më 2010, vit kur gjiganti italian e fitoi tripleten, përfshirë edhe Kupën e Botës për klube.

Si pjesë e ekipit kombëtar brazilian, Cesar e fitoi Kupën e Amerikës më 2004 dhe Kupën e Konfederatave më 2009 dhe 2013.

Cesar është fitues edhe i një numri çmimesh individuale. 

(Kosova Sot)