Edicion për t'u harruar

  • 23 April 2018 - 08:37
Edicion për t'u harruar

PËRFUNDOJNË GARAT E RREGULLTA NË ELITËN E BASKETBOLLIT

Klubet u ballafaquan me shumë probleme

Kjo fundjavë shënoi edhe fundin e garave të rregullta në IP Superligën e Kosovës në basketboll. Ky edicion është karakterizuar si më i dobëti pasluftës për shumë arsye. Klubet u ballafaquan me probleme financiare, dhe kjo ndikoi dukshëm në rezultatet dhe paraqitjet e tyre. Kjo bëri që në elitën e basketbollit të mungojë rivaliteti i dikurshëm, të ketë rënie të cilësisë dhe shikueshmërisë, derisa në edicionin e ardhshëm nevojiten shumë ndryshime për të dalë nga kjo krizë e thellë.

Superliga e zbehtë

Kriza kaploi shumicën e klubeve, e veçanërisht Pejën dhe Trepçën, dy skuadrat me traditë dhe që gjithmonë kanë luftuar për trofe. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, është shprehur se ky edicion është për t'u harruar. "Ky edicion duhet të harrohet sa më parë. E them këtë pikërisht duke u bazuar se si kanë funksionuar klubet, dhe se si duhet ndërruar filozofinë e të menduarit dhe menaxhimit. Klubet të cilët në një të kaluar të afërme (Sigal Prishtina, Peja, Bashkimi, Trepça) kanë përjetuar situata të rënda dhe janë përballuar me probleme të mëdha financiare, madje duke iu rrezikuar edhe falimentimi. Peja dhe Trepça deri në momentin e fundit nuk e kanë ditur nëse do të fillojnë garat, si dhe gjatë edicionit janë përballur me shumë probleme. Si mund të presim një edicion më të mirë, duke parë krizën e klubeve, sidomos atyre të mëdha, dhe natyrisht se kjo ka ndikuar në paraqitjet e tyre, dhe që ky edicion në Superligë të jetë më i zbehtë se ato të kaluarat", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Si Trepça, ashtu edhe Peja, nuk arritën të hynë në "Play-off", dhe ishin larg paraqitjeve të viteve të kaluara, kur gjithmonë luftonin për trofe. Kujtojmë që Trepça u shpall kampione në vitin 2012, derisa Peja më 2013, dhe së bashku me Prishtinën e Bashkimin formonin katërshen e madhe të basketbollit kosovar.

Duhet të ndryshohet strategjia

Sipas Krasniqit, një tjetër anë negative e klubeve ishte edhe menaxhimi jo i mirë. "Sigal Prishtina kishte synime të mëdha dhe luftonte në tri fronte me një buxhet jo të mjaftueshëm. Këto kanë bërë që klubet të vijnë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë. Pastaj janë ballafaquar me borxhe ndaj lojtarëve dhe trajnerëve. Për shembull, Sigali ka pasur tre trajnerë nga Turqia dhe dy asistentë. Normal që nuk mund të ketë perspektivë. Disi shpresë këtij edicioni i kanë dhënë Ylli dhe Rahoveci, që deri diku këtë edicion e kanë bërë më interesant dhe ta shpëtojnë nga kolapsi. Ndërkohë, Borea dhe në veçanti Kerasan Prishtina kanë qenë pjesë e Superligës vetëm sa për sy e faqe. Kjo duhet të ndryshoj dhe të ndryshojë edhe strategjia. Është shkatërruar ajo që është arritur që nga paslufta e këndej. Por, shpresa vdes e fundit dhe duhet ulur e bërë një strategji se si të dilet nga kjo situatë. E këtë strategji mund ta bëjnë vetëm ata të cilët kanë dhënë shumë për këtë sport dhe kanë përvojën e duhur. Duhet që nga edicioni i ardhshëm të bëhen ndryshime", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)