“Salah? Faleminderit, e kam Under”

  • 24 April 2018 - 11:32
“Salah? Faleminderit, e kam Under”

Mohamed Salah mund të ketë qenë duke luajtur për Romën kundër Liverpoolit të martën mbrëma, por Eusebio Di Francesco është i lumtur që e ka Cengiz Under në vend të tij.

Trajneri i Romës, Eusebio Di Francesco, ka refuzuar të zhytet në mendime se çfarë do të kishte ndodhur sikur klubi nga kryeqyteti të mos e shiste Salahun në Liverpool, duke thënë se është i përqendruar në talentin turk Cengiz Under.

Salah është duke gëzuar një sezon të mrekullueshëm debutues në Liverpool duke e barazuar rekordin për më së shumti gola (31) në një sezon të vetëm në Premierligë.

Po ashtu, ylli egjiptian i ka shënuar nëntë gola në 12 paraqitje në Ligën e Kampionëve, duke e luajtur një rol jetësor që Liverpooli ta arrijë gjysmëfinalen.

Di Francesco nuk e ka pasur rastin asnjëherë ta stërvitë Salahun, pasi Roma e shiti atë në Liverpool para se të nisnin stërvitjet parasezonale, megjithatë ai insiston se nuk është i brengosur, duke e nënvizuar talentin e Under, turkut 20-vjeçar që ka mahnitur në sezonin e tij të parë në kryeqytetin italian.

“Salah nuk është këtu më, por unë llogaris në Under, lojtarin tim të ri dhe shumë të aftë”, ka thënë Di Francesco.